Dy alpinistë kanë humbur jetën pasi ranë nga maja më e lartë e Zelandës së Re, Aoraki (Mali Cook), një prej ngjitjeve më të rrezikshme në botë.
Ngjarja tragjike ndodhi gjatë një ngjitjeje në majën 3,724 metra të lartë të malit, një terren i njohur për rreziqet e tij të mëdha dhe motin e paparashikueshëm.
Dy alpinistët e vdekur ishin pjesë e një grupi prej katër personash që përpiqeshin të ngjiteshin në majën e malit.
Dy të tjerët, të cilët nuk u lënduan, kontaktuan shërbimet e emergjencës natën e kaluar dhe u shpëtuan herët të martën me helikopter. Pavarësisht kushteve të vështira, ekipet e shpëtimit e gjetën trupat e dy alpinistëve të vdekur më vonë, ende të lidhur me parzmoren e ngjitjes.
Mali Aoraki Cook është një nga destinacionet më të rrezikshme për alpinistët, për shkak të terrenit të tij të ashpër, çarjeve të thella dhe motit të paparashikueshëm.
Asnjë nga alpinistët nuk është identifikuar publikisht, por media e Zelandës së Re raporton se një nga të vdekurit ishte një udhërrëfyes malor i njohur ndërkombëtarisht.
Gati një vit më parë, tre alpinistë nga SHBA-ja dhe Kanadaja u zhdukën gjatë ngjitjes dhe shpallën të vdekur pas një kërkimi të gjatë, megjithatë trupat e tyre nuk janë gjetur ende. Autoritetet thonë se moti i keq kishte penguar kërkimin.
Viktimat që humbasin jetën gjatë ngjitjeve në Aoraki Cook janë një fenomen i njohur. Sipas klubit alpin ClimbNZ, dhjetëra njerëz kanë vdekur në këtë mal, dhe është e zakonshme që një sezon ngjitjeje të kalojë me të paktën një viktimë. Kjo ngjitje ka dëshmuar rrezikshmërinë e saj për alpinistët e pa përvojë, por edhe ata me eksperiencë.
Top Channel
