“SHBA mbetet aleati ynë më i çmuar”, Bardhi me VanHorn: Shqipëria ka vetëm një rrugë, jo qeveri e karteleve të drogës…

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, Nancy VanHorn.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Bardhi thotë se SHBA është një aleat i çmuar i Shqipërisë.
Ai thotë se me diplomaten amerikane ndau qëndrimin mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe, sipas tij “regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike”.
“E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del  nga zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shkruan Bardhi.
Postimi i plotë:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aleat i çmuar i Shqipërisë dhe ne jemi me fat që i kemi patur gjithmonë në krah, në çdo etapë të ekzistencës së shtetit shqiptar.
Sot, gjatë takimit me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, znj. Nancy VanHorn, ndava qëndrimin tonë mbi luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe regresin shqetësues të Shqipërisë në raport me standardet demokratike.
Për fat të keq, gjatë këtyre 12 viteve, Shqipëria është drejtuar nga një qeveri partnere e krimit të organizuar dhe e karteleve të drogës. Kjo qeveri qendron në pushtet përmes parave të pista të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
E vetmja rrugë që e çon përpara Shqipërinë si një vend i zhvilluar dhe si partner i denjë i SHBA është lufta reale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit nga një qeveri, e cila del  nga zgjedhje të lira dhe të ndershme.