Erion Braçe
TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka kritikuar ministrin e Bujqësisë, Andis Salla, në Komisionin e Ekonomisë ku u zhvillua një seancë dëgjimore për buxhetin me shoqatat e bizneseve, të cilat prezantuan edhe kërkesat e tyre.
Gentjan Lalaj, nga shoqata e blegtorëve, prodhues të qumështit, u ndal në disa problematika që has ky sektor, duke kërkuar ndër të tjera që vendoset një barazim TVSH, dhe që blegtorët vendas të kenë mundësinë që të shesin prodhimet e tyre. Këtyre problematikave u doli në krah Braçe, i cili u shpreh se këto kërkesa janë bërë edhe më parë, por sipas tij nuk janë marrë në konsideratë nga Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Ekonomisë.
Sipas deputetit socialist, kërkesat dhe problematikat e fermerëve dhe blegtorëve dihen, por ministri i bujqësisë edhe pse ka dy muaj në detyrë nuk ka bërë akoma asgjë.
Erion Braçe: Të njëjtat propozime kam shumë vite që i dëgjoj, i keni dëgjuar edhe ju në “Samitin e Cërrikut”. Problemi është që koha ikën, koha për ta është një lopë që kalon moshën, nuk prodhon më aq sa prodhonte në fillim, një lopë që sëmuret dhe bie nga prodhimi. Një fermë që digjet, një fermë që përmbytet e kështu me radhë. Të gjitha propozimet që bëri zotëria apo që ka bërë kohë pas kohë si grup prodhuesish blegtorale nuk kanë kosto për buxhetin e shtetit, janë rregullime në atë që ne kemi sot pa shtuar asnjë lekë kosto mbi buxhetin e shtetit. Kjo historia që ministritë thonë do ta bëjmë ‘kështu siç themi ne’ dhe ju jeni të detyruar ‘të bëni këtë që themi ne’ ka sjellë në këtë gjendje. Unë do bëj një takim të dytë apo të tretë me ministrin e Bujqësisë, por ministri ishte në Cërrik dhe i dëgjoi para 5-6 muajsh. Ka dy muaj në detyrë dhe mund të reflektonte ndonjë gjë me këtë ligjin që ne na erdhi përpara, por ministri tha se “jam i kënaqur me skemën e kompensimit të fermerëve”. Ministri i Financave që ishte edhe ministër i Financave në Samitin e Cërrikut, i ka dëgjuar këto problematike. Tani të bësh gjënë më të thjeshtë edhe vlen, gjeja më e thjeshtë ajo ishte “dil nga Samiti i Cërrikut dhe nxirr policinë në rrugë”, por kjo nuk është gjëja që zgjidh problematikën që kanë në prodhim.
