Objektiv i atentatit të regjistruar paraditen e sotme në Lushnjë, dyshohet se ka qenë 45-vjeçari Julian Sulaj, i njohur ndryshe edhe si Juli Pashako. Ai njihet edhe si rivali i Aldo Bares.
Në vendngjarje janë gjetur gëzhoja, ndërsa policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Sakaq, në fshatin Lifaj është gjetur një mjet pa targa i djegur, çka ngre dyshime për atentat.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Policia e Lushnjës.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 10:40, në afërsi të stadiumit Lushnjë, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi J. S., 45 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në afërsi të fshatit Lifaj, është konstatuar një automjet duke u djegur, i cili dyshohet se u përket autorëve.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
