Lulzim basha, bamir topi dhe sali berisha
TIRANË- Ish-presidenti Bamir Topi, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka kujtuar ngjarjet e 21 Janarit dhe momentin e përplasjes së tij me Sali Berishën. Topi deklaroi se Lulzim Basha i ka kërkuar takim dhe i ka vajtur në shtëpi, ku është diskutuar shqetësimi i marrjes në pyetje nga Prokuroria të zinxhirit komandues të Gardës. Topi tha se i deklaroi Bashës se ai do të mbështesë hetimin dhe fill pas kësaj, po atë mbrëmje, Berisha e shënjestroi duke e etiketuar “horr bulevardi”.
Pjesë nga biseda:
Ju thoni se Berisha iu ka dërguar Bashën të ndërhyni te Ina Rama? Çfarë ju ka kërkuar dhe çfarë keni thënë ju?
Bamir Topi: Libri “Nocturn” ku shkruhet ky moment dhe historia e 21 Janarit ka analizë në 360 gradë, përmban edhe këtë moment të takimit me zotin Basha. Libri ka dalë në botim në vitin 2018, ndërkohë procesi për gardistët, kishte mbaruar në vitin 2016. Kur Gjykata e Lartë, kishte refuzuar rekursin e Prokurorisë së Apelit, për të kaluar çështjen në Gjykatën e Lartë. Në atë moment, çështja e tyre ishte mbyllur në dënimet që kishin marrë. Libri është shkruar me një qëllim që ka brenda një detyrim për tu shkruar. Pse? Fillova të konstatuar se njerëz të ndryshëm, filluan të thonë të vërtetat e tyre që nuk ishin të vërtetat e mia. Ndjeva si detyrim të shkruaj pjesën që ka të bëjë me të vërtetat e mia. Çdo njeri është i lirë të japë të vërtetat e veta rreth një situatë të caktuar.
Nisur nga këto premisa kam shkruar dhe jemi në ketë moment. Biseda ishte kjo, pata një telefonatë, ishte ditë e dielë, 21 janari ishte e premtë, data 23 në mëngjes pata një telefonatë nga zoti Basha dhe më thotë, dua të të takoj, i thashë hajde mirë se të vish, jam në shtëpi. E kam mirëpritur zotin Basha dhe padyshim u diskutua rreth situatës, që ishte akute. Në bisedë e sipër, dolën edhe element të atij momenti, kërkesa nga prokuroria dhe refuzimi që ishte bërë publik nga ana e ish kryeministrit. Kjo është situatë i thashë, që duhet ta dini, është shumë e rëndë, janë vrarë njerëz. Publikisht por edhe në takime, që kam patur në zyrë, kam inkurajuar dhe do të inkurajoj hetimin. Nuk dëshiroj dhe nuk marr përsipër të interpretoj, por po them bisedën. U ndamë shumë miqësisht, me Bashën kam patur marrëdhënie qytetarë.
Në të njëjtën ditë në mbrëmje, në një transmetim të drejtpërdrejt, kryeministri kishte ftuar familjet e gardistëve. Padyshim, ka qenë publike, ka bërë edhe dekorimet e rastit, pastaj vjen ajo shprehje që padyshim ka mbetur si një shprehje fyerje lapidar në gojën e ish kryeministrit që ka të bëjë me mua dhe ish kryeprokuroren. Në deklaratat e mia kam përmendur ngjarjet në Bulevard. Me sa duket, fokusimi i kësaj deklarate, ngjarjet në Bulevard, e bëri me sa duket të etiketonte këtë pjesën e Bulevardit. Ju e dini që në vazhdimësi pati iniciativë politike nga grupi parlamentar.
Basha nuk kërkoi specifikisht për Ina Ramën, por për problemin e rëndësisë që kishte marrja në pyetje e zinxhirit komandues. Pra për institucionin. Ai ka marrë përgjigjen time. Unë deklarova se do ta mbështes (hetimin).
Topi tha më tej se 21 Janari, është një ngjarje e cila duhet zbardhur dhe “e vërteta duhet të ndriçohet”. Ai kujtoi takimin në zyrë me ish kryeprokuroren, Ina Rama, e cila i shprehu shqetësimin se po pengohej marrja e provave për ngjarjen e rëndë, ndërkohë që u shpreh se e ka inkurajuar kryeprokurorën në detyrën e saj.
Bamir Topi: Parimi ëshë që e vërteta duhet të ndriçohet. Janë shprehur institucione të rëndësishme. GJEDNJ në Strasburg dhe padyshim Gjykata e Lartë e Shqipërisë ka patur një lloj detyrimi të rezonojë me atë që ka kërkuar Strasburgu. Në njëfarë mënyrë është lëvizje institucionale e detyruar. Padyshim, jemi në një proces hetimi, ku detyrimi kushtetues dhe ligjor është ekskluziv i SPAK. Janë 15 vite, kemi folur pafundësisht për 21 janarin, kemi folur politikisht, janë bërë debate politike, madje debate që kanë pasuar nuk kanë qenë vetëm nëpër studio, por kanë qenë të angazhuar institucione, ka patur komision hetimor për 21 janar. Është folur shumë në atë kohë, janë ngritur akuza të përbindshme dhe me kalimin e kohës, gjërat janë harruar, natyrisht për qëllime politike, por me sa duket diçka nuk u harroka, ajo që ka të bëjë me sentimentin e familjeve, mjerë atij që i ndodh gjëma në familje, sepse ata nuk e harrojnë asnjëherë, sepse për të tjerët, për politikën, gjërat harrohen. Media ka interes në këtë periudhë por tani është çështje tjetër, ekzkluzivitet i SPAK.
Jeni thirrur të dëshmoni?
Bamir Topi: Jo, deri tani nuk kam ndonjë ftesë. Është çështje e artit të hetimit, e dinë ata, nuk e paragjykoj punën e tyre.
Cilat ishin informacionet e para që ju kishit marrë si President për protestën e 21 Janarit? Kishit dijeni përpara se të ndodhte?
Bamir Topi: I informuar për atë që do të vinte si protestë në 21 Janar, ishin të gjithë shqiptarët. Padyshim kisha informacionin e natyrës institucionale që vinte nga shërbimet, por protagonistët e organizimit të protestës ishin me zë dhe figurë. Të gjithë kanë folur dhe deklaruar, madje kanë paralajmëruar se çfarë proteste do të ishte.
Unë isha i prekur nga një virozë e kohës, kam qenë gati gati i pamundur për të dalë, por ishte pesha që më bëri që të angazhohem si çdo ditë tjetër, madje nuk duhet harruar në 20 Janar, ora 19:00 e mbrëmjes, unë kisha organizuar Vitin e Ri diplomatik. Ky ishte një takim i përvitshëm, ku jepeshin mesazhe të natyrës politike dhe diplomatike. Pjesëmarrës sipas rregullit ishin anëtarët e komisionit të politikës së jashtme dhe ministri i jashtëm i kohës. Kisha ndërtuar një fjalë të rastit, e shkruar, e lexuar me kujdes, por ndërkohë që unë po merresha me këtë transmetim të fjalës time, patjetër që e ndava si nevojë me ambasadorët dhe nëpërmjet atij komunikimi edhe me publikun. Është transmetuar ajo fjalë, jam ndarë nga leximi dhe kam prekur situatën si shqetësim. Sapo kishte ardhur ambasadori Arvizu dhe kam komunikuar me ta, nevojën për një de-polarizim të situatës. Kam bërë thirrje, kam dhënë apelin e kreut të shtetit, për t’u larguar nga tensionet.
Besoj ky regjistrim është në arkivë. E kam paralajmëruar situatën. Kishte një vëmendje të jashtëzakonshme të ambasadorëve. Shihja te ata të njëjtin shqetësim që kisha edhe unë. Tensioni po koncentrohej, duke sjellë situatën mediatike dhe shoqërore, në një tension. Pra e kam ndjerë këtë nga pozicioni im dhe si qytetar.
Cili ka qenë roli juaj gjatë zhvillimit të protestës? A keni komunikuar me palët dhe a ka patur kërkesa ndaj jush?
Bamir Topi: Isha nga një natë gati pa gjumë dhe kam vajtur në zyrë. E kam ndjekur deri nga dreka dhe pastaj nga ambientet e zyrës që kisha në shtëpi sëbashku me këshilltarët e mi. Gjithçka po ndiqej, qoftë me pamjet vizive. Nuk besoj te ketë skenë Hollivudi, që një ngjarje të jetë ndjekur në më shumë se 30 kamera. Kur situata po agravonte, unë kam kërkuar në telefon, ministrin e brendshëm, zotin Basha, për të komunikuar dhe për të marrë nga ai situatën, për të dhënë mesazhet e mia. Nuk kam marrë përgjigje në atë moment. Më ka telefonuar pak më vonë, biseda rreth situatës, qe interesimi im si President. Kisha patur takime gjatë ditës me njerëz të institucioneve dhe ajo që erdhi pastaj, si një precipitim.
Kur u bëtë ju me dije se janë vrarë katër protestues? Si e kujtoni atë moment?
Bamir Topi: Nëpërmjet televizionit, me pamjet por edhe me informacionet që vinin me këshilltarët. Duhet ta kuptoni, kryetari i shtetit asistohet nga njerëz. Ajo që u pa, u pa qartë në media. Në pamje direkte dhe aty pastaj, patjetër që unë shumë i hidhëruar, kam shkruar një deklaratë dhe është bërë publike në kohë reale dhe ajo deklaratë shprehte për tragjedinë që ndodhi në Bulevard.
Pas vrasjes pati një përpjekje jo të vogël për të shtrembëruar të vërtetën, sikur protestuesit ishin vrarë nga njëri tjetrin dhe jo nga Garda. Ju kur e mësuat se ka qëlluar Garda?
Bamir Topi: Kur një nga televizionet transmetoi pamje të tjera. Aty ka filluar të ndryshojë perceptimi.
Prokuroria nxorri urdhër ndalimi për disa drejtues të Gardës, por Berisha nuk i dorëzonte. Ju jeni takuar me Ina Ramën. Çfarë kujtoni nga ky takim?
Bamir Topi: Janë 15 vite dhe patjetër që gjithçka është në arkivën e institucionit. Por kujtoj se Prokuroria donte të fillonte hetimin për zbardhjen e kësaj situatë kaq të rëndë. Ina Rama ishte prokurore e Përgjithshme. Ajo shprehte shqetësimin që kishte filluar të ndjente pengesa për marrjen e provave materiale. Gjithë diskutimi ishte rreth këtij problemi. Prokurorë që kishin shkuar në terren, që janë deklaruar se janë penguar për të marrë provat në terren dhe pastaj që lidhen edhe me çeshtjen e regjistrimit të kamerave të kryeministrisë. Kam dhënë mesazhin e inkurajimit të kryeprokurores, pavarësisht presioneve politike që filluan të ndihen, që do të kishte mbështetjen pa limit të kryetarit të shtetit, për të ndjekur detyrat e veta funksionale dhe kushtetuese.
Hetimet për 21 Janarin janë marrë tashmë në dorë nga Prokuroria e Posaçme, ku janë thirrur për të dëshmuar dhe Lulzim Basha dhe Sali Berisha. /ZËRI
