Hamza Uka
PUKË- Juljan Cumraku dhe Hamza Uka i kanë dhënë fund rezistencës dhe janë dorëzuar pas disa orësh të rrethuar nga policia. Burime bëjnë me dije se Uka, një ish-punonjës ushtarak, prej kohësh në vëzhgim nga Antiterrori, ka dalë i plagosur nga banesa. Mirëpo, situata e plagosjes mbetet e paqartë dhe nuk dihet në çfarë rrethanash ka ndodhur, pasi mësohet se policia nuk ka qëlluar me armë në drejt të asnjërit prej tyre.
Të dy personat janë të njohur për autoritetet, pasi më parë ishin skeduar nga Anti-terrori për veprime radikale dhe për rrezik të lartë shoqëror. Julian Cumraku me origjinë nga fshati Orosh, dyshohet të ketë lidhje me grupe ekstremiste. Ai është nipi i Mëhill Cumraku (Jaku), pronari i banesës ku qëndronte prej orësh se bashku me Ukën. Arben Uka, i njohur si Hamza Uka, ka qenë edhe Komando në Ushtrinë në Irak.
Dyshohet se të dy ata po qëndronin në bansën e braktisur në Orosh prej gati një muaji. Banesa është rrethuar që prej orëve të para të ditës së sotme nga policia e Pukës, ku më pas kanë ardhur në ndihmë edhe forcat RENEA. Prej disa orësh, efektivët kanë vijuar me negociatat, ndërsa vazhdimisht bënin thirrje me megafon që të dilnin nga banesa. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për t’u dorëzuar, ata kundërshtuan për orë të tëra duke u mbyllur brenda banesës dhe duke vështirësuar çdo ndërhyrje për shkak se dyshohej se ishin të armatosur rëndë.
Fillimisht policia solli në vendngjarje edhe vëllain e Juljan Cumrakut, më pas sollën edhe motrën e Ukës. Kanë qenë familjarët e tyre ata të cilët i kanë bindur që të dalin nga banesa dhe t’i dorëzohen policisë. Operacioni antiterror, i cili ka vijuar për orë të tëra me pjesëmarrjen e forcave të specializuara, mbetet ende aktiv, ndërsa policia po vijon procedurat përkatëse për dy të arrestuarit.Policia po siguron perimetrin dhe po verifikon çdo rrezik të mundshëm në zonë, përpara se të shpallet përfundimi i plotë i operacionit./ZËRI
