vendngjarje-arben (hamza) uka
PUKË- Julian Cumraku dhe Arben Uka, i njohur edhe me emrin Hamza, janë vetëdorëzuar pas disa negociatash. Për rreth 6 orë, policia e Pukës në bashkëpunim me forcat e RENEA-s vijoi operacionin antiterror, duke rrethuar një banesë, ku dy persona qëndronin të armatosur në banesë. Fillimisht policia negocioi me vëllain e njërit prej tyre, ndërsa më pas edhe me motrën e tjetrit, duke arritur t’i bindin që të dalin paqësisht nga objekti ku ishin strehuar.
Arben Uka dhe Julian Cumraku mendohet se kanë qenë më parë në Siri dhe i përkasin organizatave terroriste. Arben Uka i njohur edhe si Hamza Uka, sipas informacionëve, ka qenë ish-punonjës ushtarak, prej kohësh në vëzhgim nga Antiterrori.
Raportohet se policia po siguron perimetrin dhe po verifikon çdo rrezik të mundshëm në zonë, përpara se të shpallet përfundimi i plotë i operacionit. Ndërsa, forcat RENEA do të kontrollojnë ambientin me qen për armë dhe eksplozivë që mund të jenë fshehur nga dy personat./ZËRI
