Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha lëshoi akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar korrupsionin si thelbin e krizës politike dhe morale që po përjeton vendi. Berisha u ndal te një sërë projektesh strategjike, nga tuneli i Llogarasë te aeroporti i Vlorës dhe inceneratorët, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ministren Belinda Balluku për abuzime masive me fondet publike dhe mungesë totale të përgjegjësisë politike.
Berisha e përshkroi sheshin e protestës si një ‘shesh lirie’ dhe theksoi se foltorja e opozitës e përmbush misionin e saj vetëm kur qytetarët të bashkohen për të larguar, sipas tij, ‘hajdutët nga qeveria’.
Me një thirrje të drejtpërdrejtë për mobilizim, kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi se beteja politike do të vazhdojë deri në ‘përmbysjen e narkodiktaturës’, duke i ftuar qytetarët të mbrojnë lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen e vendit.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
E them këtu, nuk ka pasur kombi një hajdute me ordinere se Belinda Ballukun.
Po ama, të themi të vërtetën, në Ankara ajo nuk shkonte dot për tunelin e Llogarasë.
E mori Rama me vete. Sepse nuk shkon kryeministri pas ministres, shkon ministrja aty ku shkon kryeministri.
Kështu që pazaret në Ankara i bëri Edi Rama.
Ajo sigurisht merr pjesën e vet.
Por Edi Rama është i Ankarasë, edhe i tunelit të Llogarasë, edhe i aeroportit të Vlorës. Është edhe i djegësve.
Harrojeni ju poezinë e tij, duke përmbysur prraktikën e parë me landfille dhe tani do dalim te djegësit.
Ku janë djegësit? Djegësit nuk janë, po 400 milionë eurot tuaja janë vjedhur ama.
Miq, mund të rrimë shumë e shumë, lista e tyre nuk ka fund, por morali i tyre është i shpëlarë.
Imagjinoni se çfarë bëjnë.
Kanë vjedhur, janë kapur duke vjedhur dhe prapë nuk largohen.
Jo, thonë.
Do i largojmë.
Do i largojmë dhe ta dinë.
Këtë vend këtu nuk e kemi zgjedhur kot. Jo, ta dini secili prej jush.
Kërkohen sakrifica.
Ne do mblidhemi këtu, ky është sheshi ynë, ky është sheshi i lirisë.
Do e çlirojmë edhe atë ndërtesë.
Erdhëm këtu për t’i qëndruar armikut përballë.
Erdhëm këtu për t’i futur tmerrin hajdutit.
Erdhëm këtu për t’i thënë hajdutit qërohu.
Erdhëm këtu për të mos ikur kurrë nga ky shesh pa fitoren.
Çdo shqiptar duhet ta dijë këtu se ky shesh, kjo foltore përmbush misionin e saj vetëm kur shqiptarët të largojnë këta hajdutë nga qeveria.
Ndaj dhe u bëj thirrje shqiptarëve, shpirtit të tyre të protestës, idealeve të tyre të lirisë, karakterit dhe dinjitetit të tyre, të ngrihemi se këta hajdutë po vjedhin paratë, po vjedhin qenien tonë, po vjedhin të ardhmen tonë, po shkatërrojnë Shqipërinë.
Edhe njëherë u falënderoj shumë dhe ju ftoj të vazhdojmë betejën tonë, një betejë e cila do të përmbysë narkodiktaturën e urryer të hajdutëve më të mëdhenj të kombit shqiptar, Edi Ramës, Lubi Ballukut etj.
Fitore!
