Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një tjetër reagim pas rikthimit nga punimet e Asamblesë së Përgjithshme të CDI, ku sipas tij, Shqipëria dhe situata politike në vend zuri një vend të rëndësishëm në diskutimet e organizatës.
Berisha deklaroi se në fokus të punimeve ishin çështjet globale si agresioni rus në Ukrainë dhe situata në Venezuelën e Maduros, të cilin e krahasoi me kryeministrin Edi Rama.
Ai tha se në këtë asamble, drejtues të lartë të CDI-së dhe PPE-së kanë denoncuar ashpër “narkodiktaturën e Edi Ramës”, duke e cilësuar Shqipërinë një rast shqetësues për demokracinë.
“Droga e Edi Ramës ka marrë dhenë. Rama krahasohet sot me narkodiktatorët më të urryer të planetit,” tha Berisha, duke shtuar se këto mesazhe ndërkombëtare janë një inkurajim për opozitën të vijojë betejën e saj.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te roli i të rinjve, të cilët i ftoi të angazhohen në atë që ai e quajti një moment vendimtar për të shpëtuar vendin nga “katastrofa ku po rrokulliset”.
Në përfundim, ai uroi një prej të rinjve të folur në aktivitet, Kristin, me rastin e ditëlindjes, duke shprehur sërish besimin te brezi i ri si forca që do të sjellë ndryshimin.
Berisha: CDI dënon “narkodiktaturën” e Ramës – mesazh inkurajues për betejën tonë politike
