Ndërprerja e ilaçeve për humbje peshe para shtatzënisë, rrezik më i lartë për shtim në peshë dhe rreziqe të tjera shëndetësore

Gratë që ndalojnë së marri ilaçe për humbje peshe para ose në fillim të shtatzënisë, kanë tendencë të shtojnë më shumë në peshë dhe të kenë më shumë probleme shëndetësore, ka zbuluar një analizë e re.

Krahasuar me gratë që nuk i kishin marrë kurrë këto ilaçe, ato duket se janë në rrezik më të lartë për lindje të parakohshme, diabet dhe gjendje të tensionit të lartë të gjakut që lidhen me shtatzëninë, për shembull, preeklampsia, sipas studimit, i cili u botua në revistën JAMA.

Barnat e suksesshme kundër obezitetit dhe diabetit, të tilla si Ozempic dhe Wegovy, janë pjesë e një klase barnash të njohura si agonistë të receptorit të peptidit-1 të ngjashëm me glukagonin (GLP-1), të cilët i ndihmojnë njerëzit të humbin peshë duke imituar një hormon që ua zvogëlon oreksin.

Njerëzit shpesh shtojnë në peshë kur ndalojnë së marri këto ilaçe, por grave shtatzëna nuk u këshillohet t’i marrin ato. Kjo ka nxitur debat se si t’i ndihmohen gratë të ndërpresin përdorimin e këtyre ilaçeve gjatë kohës që do të kenë fëmijë – pa rritur rreziqet e tjera shëndetësore që lidhen me diabetin ose obezitetin.

Popullariteti i ilaçeve për humbje peshe është “rritur ndjeshëm, por rekomandimet sugjerojnë ndërprerjen e tyre para shtatzënisë sepse nuk ka informacion të mjaftueshëm, në lidhje me sigurinë e tyre për foshnjat e palindura”, tha Dr. Jacqueline Maya, autorja kryesore e studimit dhe një endokrinologe pediatre në Mass General Brigham for Children.

“Ne kërkuam të vlerësonim se si ndërprerja e tillë ndikon në shtimin në peshë dhe rezultatet gjatë shtatzënisë”, shtoi ajo në një deklaratë.

Ekipi i Mayas analizoi të dhënat shëndetësore për gati 1,800 shtatzëni midis viteve 2016 dhe 2025, kryesisht në mesin e grave me obezitet.

Studimi zbuloi se gratë që ndërprenë marrjen e ilaçeve GLP-1 para ose në fillim të shtatzënisë, shtuan mesatarisht 7.2 paund (3.27 kilogramë) më shumë gjatë shtatzënisë sesa gratë që nuk i morën ilaçet.

Grupi GLP-1 kishte gjithashtu një rrezik 32% më të lartë për të shtuar më shumë peshë sesa rekomandohej gjatë shtatzënisë, një rrezik 30% më të lartë për diabet, një rrezik 29% më të lartë për çrregullime hipertensionale dhe një rrezik 34% më të lartë për lindje të parakohshme.

Veçanërisht, nuk kishte ndryshim në rrezikun e lindjes me prerje cezariane, ose në peshën apo gjatësinë e foshnjave gjatë lindjes.

Dr. Camille Powe, një nga autoret e studimit dhe endokrinologe në Mass General Brigham, tha se nevojiten më shumë kërkime, për të peshuar pro dhe kundrat e marrjes së ilaçeve për humbje peshe gjatë kohës së shtatzënisë.

“Duhet të bëjmë më shumë kërkime për të gjetur mënyra për të ndihmuar në menaxhimin e shtimit në peshë dhe për të zvogëluar rreziqet gjatë shtatzënisë kur ndërpriten ilaçet GLP-1”, tha Powe./ Euronews.