altin dumani ne bruksel
TIRANË- Altin Dumani, kreu i aktual i SPAK, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Belgjikë në datat 18–19 nëntor, në një nga institutet kryesore të politikave në Bruksel, Qendra Evropiane e Politikave (European Policy Centre). Përmes një postimi në rrjetet sociale delegacioni Evropian në Shqipëri ka ndarë detaje nga takimi i zhvilluar javën e kaluar në Bruksel, ku Dumani theksoi zhvillimin e SPAK-ut si një institucion model i reformës në drejtësi në Shqipëri, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin, qëndrueshmërinë institucionale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin e publikut.
Mësohet se gjatë takimit, Dumani ka përmenduar edhe vështirësitë kryesore me të cilat përballet SPAK. Mes tyre, kreu i këtij institucioni theksoi se SPAK përballet me presione dhe kërcënime të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm nga politika, por sidomos nga krimi i organizuar.
“Vështirësitë kanë qenë të shtumta. Ne në dhjetor mbushim 6 vjet. Vështirësitë kryesore kishin të bënin me organizimin e institucioneve. Një vështirësi tjetër ishte presioni i madh që gjendjeshim, i publikut qe kërkonte rezultate, pasi SPAK-u shihej, që prej krijimit, si një shpresë për funksionimin e institucioneve dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ndërsa pritshmëritë ishin të mëdha, mundësitë tona reale ishin të kufizuara. Tjetër vështirësi ishte menaxhimi i presioneve dhe kërcënimeve të ndryshme që vinin drejt prokurorisë dhe prokurorëve të posaçëm, nga politika, nga media, por sidomos nga krimi i organizuar. Megjithatë, prokurorët e SPAK-ut kanë përvojë dhe janë të përgatitur për t’i përballuar këto presione, pavarësisht nga vijnë ato. Secili ka një përvojë të admirueshme dhe janë profesionalisht të maturuar”, tha Dumani.
Postimi i plotë:
Një diskutim i frytshëm javën e kaluar në një nga institutet kryesore të politikave në Bruksel, Qendra Evropiane e Politikave (European Policy Centre), me Altin Dumanin, Kryeprokuror i Posaçëm i Shqipërisë, dhe Giulio Vennerin, Zëvendësshef i Njësisë për Strategjinë e Zgjerimit dhe Koordinimin në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit (DG ENEST), vuri në dukje rolin kyç të SPAK-ut në reformën në drejtësi dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Dumani theksoi zhvillimin e SPAK-ut si një institucion model i reformës në drejtësi në Shqipëri, i ndërtuar mbi pavarësinë, profesionalizmin, qëndrueshmërinë institucionale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe besimin e publikut. “Transformimi sistemik është i mundur kur një shoqëri zgjedh ndershmërinë mbi cinizmin dhe kur institucionet ndërtohen jo për komoditet politik, por për shërbim publik,” u shpreh ai.
Venneri nënvizoi se rezultatet në rritje të SPAK-ut, të ndërtuara mbi arritje konkrete, forcimin e kapaciteteve teknike dhe bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përbëjnë një kontribut të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë së Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. “Kur vendet i zbatojnë me seriozitet reformat, edhe BE-ja jep përgjigjen e saj,” tha Venneri.
