Sot, “Foltore 2” para Kryeministrisë! Policia merr masat, bllokohen disa rrugë

berisha ne proteste

TIRANË- Partia Demokratike do të zhvillojë sot protestën e radhës para Kryeministrisë, ndërsa Policia e Shtetit ka njoftuar një plan masash me rrugët që do të bllokohen për garantimin e rendit, sigurisë dhe mbarëvajtjes së aktivitetit. Që prej orës 14:00 ka nisur bllokimi i rrugëve kryesore në kryeqytet, deri në përfundim të tubimi në orën 20:00. Ndërkohë, bëhet me dije se në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë edhe akse të tjera rrugore që mund të bllokohen, teksa apelon qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse. 

Njoftimi:
Tiranë/ Në lidhje me tubimin e njoftuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, që do të zhvillohet sot nga ora 18:00 deri në 20:00 para Kryeministrisë, Policia e Tiranës ka marrë masat e nevojshme në zbatim të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së aktivitetit, kokretisht:
-nga ora 14:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Nga ora 15:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim.