Ish-kryeministri britanik, David Cameron ka zbuluar se është trajtuar për kancerin e prostatës. Cameron tha se e zbuloi sëmundjen pasi gruaja e tij kishte këmbëngulur që ai të shkonte për një kontroll mjekësor. Këmbëngulja e saj sipas Cameron erdhi pasi ata dëgjuan një intervistë të sipërmarrësit Nick Jones, i cili po bënte fushatë që më shumë burra të testoheshin lidhur me kancerin.
59-vjeçari menjëherë bëri një test për antigjenin specifik të prostatës (PSA) në fillim të këtij viti, i ndjekur nga një skanim me rezonancë magnetike dhe një biopsi. Më pas ai u trajtua me terapi fokale, e cila synon zonën ku është i pranishëm tumori duke përdorur metoda të tilla si valët me ultratinguj për të shkatërruar qelizat kancerogjene.
“Bëra një skanim. Më ndihmoi të zbuloja diçka që nuk shkonte. Më dha mundësinë ta përballoja”, tha ai.
Cameron shtoi se do të ndihej keq nëse nuk do të fliste hapur lidhur me sëmundjen duke qenë se ka edhe përvojë. Vitin e kaluar, kampioni skocez i çiklizmit, Chris Hoy bëri thirrje që më shumë burra të rinj të testohen për kancerin e prostatës pas diagnozës së tij.
