Kronikë E Hënë, 24 Nëntor 2025 10:06
Qarku i Korçës është përfshirë nga përmbytjet pas reshjeve të dendura të shiut që kanë shoqëruar vendin gjatë gjithë javës, duke shkaktuar probleme në disa bashki dhe zona rurale. Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile janë angazhuar në terren për të përballuar situatën dhe për të minimizuar dëmet.
Në Voskopojë ka vijuar puna për sistemimin dhe pastrimin e rrugës që çon drejt varrezave, ndërkohë që në Njësinë Administrative Bulgarec vijon pastrimi i tombinove në fshatin Çiflig përgjatë unazës, me përdorimin e mjeteve të rënda. Paralelisht, po monitorohen me kujdes prurjet e lumit të Kamenicës dhe degëzimet mbi Dvoran, ndërsa në Voskopojë po punohet për riparimin e argjinaturave të dëmtuara. Në zonën e Tudas–Lavdar–Bozdovec–Mazrekë vazhdojnë punimet për hapjen dhe normalizimin e qarkullimit.
Edhe Bashkia Kolonjë është përballur me problematika të shkaktuara nga reshjet intensive. Në urën e Qinamit është ndërhyrë për devijimin e rrjedhës së lumit, për të shmangur rrezikun që kërcënonte këmbët e urës. Punime janë kryer gjithashtu në lagjen Kaskollare të fshatit Starje, ku po largohen ujërat e mbledhura, si dhe në Prodan, në shtratin e lumit për të shmangur përkeqësimin e situatës.
Në Bashkinë Maliq vazhdon puna intensive për mbylljen e çarjeve në argjinaturat e lumenjve Dunavec dhe Devoll, me angazhim të subjekteve private dhe mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes. Puna ka nisur që në orët e para të mëngjesit, ndërsa strukturat vendore po vijojnë punën për të neutralizuar të gjitha problematikat e evidentuara në territorin e bashkisë.
Ndryshe nga zonat e tjera, Bashkia Pustec raporton se situata është e normalizuar dhe nuk paraqiten probleme.
Në Bashkinë Devoll puna është përqendruar në fshatin Progër, ku është ndërhyrë për sistemimin e lumit në zonat ku pritat ishin çarë, si dhe për çakullimin e segmenteve rrugore të dëmtuara nga erozioni i ujit. Ndërhyrje është kryer edhe në Njësinë Administrative Hoçisht, ku është rregulluar shtrati i lumit të Borshit, pasi çarja e tij kishte përmbytur një sipërfaqe të konsiderueshme tokash bujqësore.
Bashkia Pogradec raporton se komisionet e verifikimit kanë konstatuar dëmtime në 62 familje, për të cilat janë mbajtur procesverbalet përkatëse. Familjeve të prekura u janë shpërndarë ndihma ushqimore, ndërkohë që vijon monitorimi i terrenit dhe identifikimi i rasteve të reja që mund të kenë nevojë për mbështetje. Problematika kryesore janë evidentuar përgjatë lumit të Verdovës, lumit të Rëmenjit dhe në grykëderdhjen pranë gurores, ku është ndërhyrë për menaxhimin e rrjedhjeve.
Në Njësinë Administrative Dardhas janë pastruar katër akse rrugore, të cilat aktualisht janë të kalueshme, ndërsa në qytet vazhdon puna për pastrimin e pusetave dhe të asfaltit të rrugëve. Në aksin Pogradec–Buçimas, pranë fshatit Gështenjas, ka ceduar rreth 50 metra nga korsia e biçikletave, duke kërkuar ndërhyrje të mëtejshme.
Ndërkohë, në rezervuarin Stropskë 2 është konstatuar një shkarje dherash në një sipërfaqe prej rreth 4 dynymësh dhe ekipet e emergjencave civile po vijojnë vlerësimin e situatës. Hidrovori i Tushemishtit dhe ai i Pogradecit vijojnë punën normalisht.
Strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave civile mbeten në gatishmëri dhe po vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet në të gjitha zonat që paraqesin rrezik potencial.
