Me kapuç dhe biçikletë, personi që hodhi tritolin në banesën e Mziut dyshohet se është e njëjta ‘dorë’ me grupin e Jeton Lamit

autori duke u larguar

TIRANË- Shpërthimi me tritol që ndodhi në murin rrethues të banesë ssë Xhelal Mziut, në muajin Shtator mbetet ende pa autor. Ndërsa kamerat e sigurisë pranë banesës së deputetit të PD-së, Xhelal Mziu, kanë fiksuar lëvizjet e personit që dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse në hyrje të banesës së tij. Sipas burimeve hetimore, i njëjti individ dyshohet të jetë autori edhe i shpërthimit me tritol në një lokal në Kamëz, ndërsa gjurmët dhe mënyra e veprimit përputhen me të paktën gjashtë raste të ngjashme gjatë vitit të fundit në zonën e Tiranës.

Në lidhje me sulmin ndaj lokalit, autoritetet kanë arrestuar tre persona, Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mzhika. Dy të parët u lanë në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje, me vendim të Gjykatës së Tiranës. Mësohet se disa ditë para ngjarjes, Domi kishte kontaktuar pronarin e lokalit, Saimir Sina, duke e njoftuar se kërkohej nga Lami. Gjatë takimit, Lami dyshohet t’i ketë kërkuar Sinës 500 mijë euro, duke e kërcënuar se përndryshe do të kishte pasoja. Pas refuzimit, Sina është larguar drejt Italisë, ku jeton prej vitesh.

Ndërkohë, Mzhika mësohet të ketë kërcënuar edhe personat që menaxhonin me qira lokalin, duke u thënë se “nuk do ta gëzonin dot biznesin”. Hetuesit dyshojnë se autori ende i paidentifikuar i shpërthimeve është pjesë e së njëjtës grupstrukturë, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e tij./ZËRI