Një studim në Mbretërinë e Bashkuar zbulon se dieta e shëndetshme dhe ushtrimet fizike mund të zvogëlojnë dhjamin e dëmshëm të barkut

Studiuesit thonë se përmirësimi i dietës dhe aktivitetit fizik ndihmon në kufizimin e grumbullimit të dhjamit visceral më të rrezikshëm.

Dieta dhe ushtrimet e kombinuara mund të ndihmojnë në frenimin e rrezikut të sëmundjeve metabolike duke zvogëluar sasinë e yndyrës së dëmshme që ruhet rreth organeve, tregojnë studime të reja.

Ndërsa dihet mirë se një stil jetese i shëndetshëm mund t’i ndihmojë njerëzit të humbin peshë, shkencëtarët po mësojnë gjithnjë e më shumë se vendi ku njerëzit grumbullojnë dhjamin në trup ka rëndësi për shëndetin e tyre.

Yndyra nënlëkurore, për shembull, është dhjami që mund të kapet menjëherë nën lëkurë. Por dhjami visceral – dhjami i dendur dhe i fshehur që gjendet rreth organeve në bark – besohet të jetë më i rrezikshëm. Ai lidhet me një rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës dhe diabetit të tipit 2.

“Kur njerëzit flasin për ndryshimet në peshën trupore, ata shpesh i referohen një numri të vetëm në peshore. Por jo çdo humbje ose shtim në peshë është i njëjtë”, tha Dr. Shayan Aryannezhad, një nga autorët e studimit dhe studiues në Universitetin e Oksfordit.

“Ne zbuluam se kombinimi i një diete më të mirë me më shumë aktivitet fizik është një mënyrë efektive për të përmirësuar jo vetëm peshën, por edhe sasinë dhe vendin ku ruhet dhjami në trup”, shtoi ai në një deklaratë.

Për studimin, i cili u botua në revistën JAMA Network Open , studiuesit ndoqën më shumë se 7,200 të rritur të moshës së mesme në Mbretërinë e Bashkuar gjatë një periudhe mesatare prej shtatë vitesh.

Ata zbuluan se njerëzit që hanin më shëndetshëm ose ushtroheshin më shumë panë shtim më të ngadaltë në peshë – si me dhjamin nënlëkuror ashtu edhe me atë visceral – dhe kishin një rrezik më të ulët të sëmundjes së mëlçisë yndyrore sesa ata që nuk e ndryshuan stilin e tyre të jetesës. Njerëzit që ushtroheshin dhe hanin shëndetshëm patën një rezultat edhe më të mirë.

Mesatarisht, njerëzit që hanin mirë dhe ushtroheshin fituan 1.9 kilogramë më pak yndyrë totale trupore dhe 150 gramë më pak yndyrë viscerale sesa njerëzit me stile jetese më pak të shëndetshme – ekuivalente me rreth 7 përqind të yndyrës totale trupore dhe 16 përqind të yndyrës viscerale.

Lidhjet midis dietës dhe ushtrimeve fizike dhe dhjamit visceral ishin ende të rëndësishme pasi studiuesit morën në konsideratë indeksin e masës trupore (BMI) – një tregues i zakonshëm i obezitetit. Ata thanë se kjo tregon se dhjami visceral është i pari që zhduket kur njerëzit përqafojnë një stil jetese më të shëndetshëm.

Dr. Nita Forouhi, një nga autoret e studimit dhe profesoreshë e shëndetit dhe të ushqyerit të popullatës në Universitetin e Kembrixhit, tha se gjetjet sugjerojnë që përmirësimi i dietës dhe ushtrimeve në moshën e mesme jo vetëm që mund të ndihmojë në humbjen e peshës, por gjithashtu mund të ulë rrezikun e sëmundjeve metabolike dhe të nxisë plakjen më të shëndetshme.

“Pavarësisht sfidave të jetesës në mjedise që nxisin të ngrënit e pashëndetshëm dhe pasivitetin, ka përfitime nga bërja e ndryshimeve të vogla dhe të qëndrueshme që çojnë si në dieta më të shëndetshme ashtu edhe në rritjen e shpenzimit të energjisë”, tha Forouhi.