Hekuran Murati dhe Përparim Rama
PRISHTINË- Ministri i Financave të Kosovës Hekuran Murati, ka reaguar ndaj akuzave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se transporti publik urban do të pezullohet për shkak të bllokimit të buxhetit nga qeveria Kurti.
Murati përmes një postimi në rrjetet sociale deklaroi se janë alokuar fondet e dhjetorit për Komunën e Prishtinës që të premten, madje para afatit ligjor, por stafi komunal nuk ka kryer pagesat dhe i ka lënë për të hënën. Ai akuzoi komunën se po e përdor situatën për propagandë politike në kurriz të qytetarëve.
Reagimi i plotë:
Të premten pasdite, Thesari e ka alokuar buxhetin e dhjetorit për Komunën e Prishtinës, para kohe, me idenë që të paguheshin disa fatura për shërbime esenciale, siç ishte energjia elektrike.
Mirëpo në fund të ditës, nga Thesari më njoftuan që përkundër alokimit, stafi i Komunës së Prishtinës kishin përfunduar orarin dhe nuk e kishin kryer asnjë pagesë, me arsyetimin se “i kryejmë të hënën”.
Fillimisht u habita, sepse kjo sjellje e tyre nuk përkonte me urgjencën që kishin paraqitur, kur kishin kërkuar alokim të parakohshëm.
Në vend se të paguanin faturat gjatë orarit të punës, Përparim Rama me nënkryetarët e tij kishin vendosur që të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës, duke u ankuar për gjoja bllokadën.
Sepse po të paguanin faturat të premten, s’do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielen
Kjo e sqaron edhe arsyen pse Lumir Abdixhiku me deputetët tjerë të LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën në Kuvend.
Sepse në mungesë të kauzave reale, paskan vendosur që të mos i kursejnë as qytetarët e Prishtinës, me shpresën që mos dikush rastësisht u beson se fajin e paska Qeveria.
/ZËRI