Rama: Anëtarësimi në BE objektivi historik që s’ka kompromis

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se momenti i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian do të jetë i vetmi rast kur ai do të ndihet plotësisht i kënaqur, një ngjarje të cilën e cilësoi si epokale, historike dhe të jashtëzakonshme.
Gjatë podkastit “Flasim”, Rama u shpreh se natyra e tij është të mos jetë kurrë plotësisht i kënaqur me punën apo rezultatet që arrin.

“Vuaj nga pakënaqësia. Ata që më njohin nga afër e dinë shumë mirë këtë gjë. Ata që më shikojnë nga larg nuk e besojnë fare. Perceptimi në distancë është i ndryshëm nga çfarë jam realisht. Nëse dukem si dikush që mendon se i di të gjitha, në fakt unë vuaj nga pakënaqësia,” tha Rama.

Ai shtoi se është kritik ndaj vetes dhe gjithmonë mendon se mund të kishte bërë më mirë.

“Jam i pakënaqur me çdo gjë që bëj. I shoh me një ndjenjë pakënaqësie ndaj vetes, sepse mendoj se mund t’i kisha realizuar më mirë,” theksoi Kryeministri.
Rama foli edhe për qëndrimet e tij të forta në debate, por tha se me kalimin e kohës ka zhvilluar mekanizma për të rikonsideruar situatat.
“Jam shumë i vështirë në debat, sepse mbroj me forcë bindjet e mia. Por jam i hapur për të kuptuar se ku mund të bëj më mirë, apo ku mbase tjetri ka të drejtë dhe unë jo. Edhe pse nuk e tregoj,” tha ai.
Sipas tij, me kalimin e viteve ai është bërë më reflektues dhe më i prirur për të rishikuar vendimet dhe qëndrimet e së shkuarës.