BBC: Të paktën 90 të vdekur dhe 12 të zhdukur pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës

Bota E Diel, 23 Nëntor 2025 13:59
Të paktën 90 persona kanë vdekur dhe 12 të tjerë rezultojnë të zhdukur pas shirave të rrëmbyeshëm në Vietnam që çuan në përmbytje dhe rrëshqitje toke, sipas BBC.
Qeveria vietnameze njoftoi se 186,000 shtëpi janë dëmtuar në të gjithë vendin, me më shumë se tre milionë bagëti të zhdukura. Zyrtarët vlerësojnë se ka pasur dëme me vlerë qindra miliona paund.

“Provinca malore e Dak Lak është prekur më rëndë, duke regjistruar më shumë se 60 vdekje që nga 16 nëntori”, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Gjithashtu, në muajt e fundit, Vietnami u godit nga tajfunët “Kalmaegi” dhe “Bualoi”.

“Rreth 258,000 njerëz mbetën pa energji elektrike sot në mëngjes dhe zona të autostradave kryesore dhe shinave të trenave u bllokuan”, thanë zyrtarët.
Forcat ushtarake dhe policore janë mobilizuar për të ndihmuar në zonat më të goditura.
Qeveria tha se ndikimet më të rënda ishin regjistruar në pesë provinca – Quang Ngai, Gia Lai, Dak Lak, Khanh Hoa dhe Lam Dong – në Vietnamin jugor dhe jugqendror.
Shkencëtarët thonë se Vietnami është lënë më i ekspozuar ndaj ngjarjeve ekstreme të motit për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, të cilat i kanë bërë tajfunët më të fortë dhe më të shpeshtë.