Bota E Diel, 23 Nëntor 2025 14:07
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka këmbëngulur se plani i propozuar prej 28-pikësh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i cili është parë gjerësisht si i favorshëm për Rusinë, është hartuar nga SHBA-ja, sipas BBC.
Deklarata e tij vjen mes pretendimeve të një grupi senatorësh – të cilët thanë se plani i paqes në Ukraine mund të ishte një “listë dëshirash” nga ana e Rusisë.
Por, Rubio këmbënguli se propozimi i paqes për Kievin nuk pasqyronte qëndrimin e Uashingtonit.
Rubio u distancua nga këto pretendime dhe tha se plani vinte nga SHBA-ja dhe se ishte bazuar në kontributin si nga Rusia ashtu edhe nga Ukraina.
“Propozimi i paqes është hartuar nga SHBA-ja. Ai bazohet në kontributin e palës ruse dhe gjithashtu në kontributin e mëparshëm dhe të vazhdueshëm të Ukrainës”, tha Rubio ne media sociale.
Reagimi i tij erdhi ndërsa ai po nisej për në Gjenevë, në Zvicër për bisedime me zyrtarët ukrainas dhe evropianë për planin e paqes, të cilin presidenti i SHBA-së, Donald Trump i ka bërë thirrje Kievit ta pranojë shpejt.
Aleatët e Ukrainës në Evropë kanë hartuar dispozitat kryesore në draft, i cili nuk është bërë publik, por detajet e të cilit janë publikuar gjerësisht.
Ai përfshin tërheqjen e trupave ukrainase nga zonat lindore të cilat Rusia nuk ka qenë në gjendje t’i marrë me forcë – dhe kufizimin e madhësisë së forcave të saj të armatosura.
Presidenti amerikan, Donald Trump tha dje se plani i paqes nuk përfaqësonte një “ofertë përfundimtare” për Ukrainën.
Në një postim dje në X, zëvendëspresidenti JD Vance tha se kritikat ndaj planit të propozuar të paqes ose keqkuptonin marrëveshjen kornizë ose keqinterpretonin ndonjë realitet kritik në terren.
“Ekziston një fantazi se nëse japim më shumë para, më shumë armë ose më shumë sanksione, fitorja është afër”, tha ai, duke shtuar se paqja nuk do të bëhej nga politikanët që jetonin në një vend fantazish. ATSH
