Përmbytjet në vend nga moti i keq, Ministri Salla: Infrastruktura e kullimit po kthehet në normalitet

foto ilustruese

TIRANË- Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka bërë të ditur se infrastruktura e kullimit po rikthehet në normalitet dhe se niveli i ujit në shumë zona po bie, kryesisht në ultërsirën perendimore. Gjithashtu është shprehur se reshjet e natës kanë qenë më të dobëta, duke krijuar kushte më të mira për ndërhyrjet në zonat e prekura nga përmbytjet.
Ministri theksoi se ekipet e drejtorive të ujitjes dhe kullimit në Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë po punojnë intensivisht në terren, duke u fokusuar tek zonat më të goditura nga situata e ditëve të fundit.
“Shirat gjatë natës kanë qenë me intensitet më të ulët, çka ka krijuar kushte më të favorshme për ndërhyrjet në terren. Si rezultat, situata në infrastrukturën e kullimit po normalizohet, me ulje graduale të niveleve të ujit. Në ultësirën perëndimore, infrastruktura e kullimit po kthehet gradualisht në normalitet dhe uji po tërhiqet nga sipërfaqet e përmbytura. Paralelisht, nivelet në lumenj kanë pësuar rënie dhe rrjedhat po stabilizohen brenda shtratit natyral dhe argjinaturave ekzistuese. Ekipet e drejtorive të ujitje-kullimit në Fier, Korçë, Durrës dhe Lezhë vijojnë pa ndërprerje në terren për stabilizimin e situatës, kryesisht në zonat më problematike.”- shkruan Salla.

Aktualisht qarqet më problematike mbeten Lezha, Korça, Vlora dhe Fier, ku raportohen rreth 520 ha tokë nën ujë, 220 ha në Lezhë dhe 300 ha në Mamurras. Ndërsa në Fier raportohen 25 banesa që janë nën ujë./ZËRI