Nga hapja e grupkapitullit të fundit me BE te Samiti i Planit të Rritjes, ngjarjet kryesore të javës

Java që lamë pas shënoi një moment kulmor në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Në 17 nëntor, Shqipëria mbërriti në në një moment historik në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian, me hapjen e Grup-Kapitullit V “Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni”, në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–BE, që u mbajt në Bruksel.

Ky ishte grupkapitulli i fundit që u hap për vendin tonë dhe përfaqëson një pikë kthese strategjike, pasi përmbyll formalisht fazën e hapjes së të 33 kapitujve të negociatave brenda një periudhe vetëm njëvjeçare.

Në këtë mënyrë Shqipëria bëhet një prej vendeve me ecurinë më të shpejtë dhe më koherente në rajon në këtë proces.

Në nisje të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama solli në vëmendje momente nga kjo ngjarje, Ku delegacioni shqiptar i kryesuar prej tij u paraqit në Bruksel me një axhendë që synon të përcjellë gatishmërinë, maturinë dhe ambicien e Shqipërisë në fazën e re të negociatave.
Nga Brukseli, ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës Marie Bjerre, vend i cili mban presidencën e radhës së BE-së vlerësoi se Shqipëria ka bërë një përpjekje të fortë për reformat e harmonizimin me BE, ndërsa e cilësoi këtë “një shpejtësi rekord”.
“Është mbresëlënëse se sa shpejt po jepni rezultate. Vazhdoni kështu dhe do të jepni rezultate më shpejt se sa vonë”, inkurajoi ajo.
Ndërsa komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos vlerësoi po ashtu se ky moment tregon që BE ofron rezultate dhe mund të mbështetemi tek Shqipëria në të ardhmen.
Suksesi i Shqipërisë, sipas saj “është rezultat i punës së autoriteteve shqiptare me shoqërinë civile dhe me aktorë të tjerë për zbatimin e reformave të rëndësishme të BE”.
Kos e cilësoi Shqipërinë frymëzim për shumë vende në Ballkanin Perëndimor, ndërsa u shpreh se “jemi të përkushtuar t’ju mbështesim të ndërtoni një të ardhme të begatë për të gjithë shqiptarët në shtëpinë e tyre në Bashkimin Europian”.
Nga ana e tij, kryeministri Rama shprehu besimin se i gjithë ai rrugëtim na bëri më të fortë.
Rama vlerësoi mbështetjen e Presidencës suedeze në këtë rrugëtim, ndërsa siguroi se Shqipëria do të bëjë gjithçka ka në dorë për të ecur përpara me të njëjtin intensitet dhe disiplinë.
Një tjetër ngjarje me rëndësi në javën që lamë pas ishte edhe organizimi në Tiranë i Samitit rajonal të liderëve Growth Plan “Our Pathway to the EU”.
Në 21 nëntor, Tirana mirëpriti liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor si dhe Komisioneren për Zgjerimin në BE, Marta Kos në këtë samit ku u lançua Udhërrëfyesi për Ballkanin Perëndimor.
Në samit u diskutua po ashtu mbi pozicionimin e rajonit në ekosistemin AI të BE, korsitë e gjelbra, bashkëpunimin në fushën e turizmit, mbi progresin dhe hapat e ardhshëm drejt tregut të përbashkët rajonal etj.
Rama e cilësoi organizimin e Samitit në Tiranë, një tjetër ditë europiane për Shqipërinë.
Kryeministri u shpreh se Plani i ri i Rritjes është një urë e shpejtë dhe e sigurt drejt tregut të përbashkët europian.
ATSH