Zbulohet rrjeti i eurove të falsifikuara. Ja si i sillnin në Shqipëri, prangosen 4 persona

Policia e Tiranës ka goditur një grup të strukturuar që dyshohet se merrej me shpërndarjen e kartëmonedhave euro të falsifikuara, duke çuar në pranga 4 persona dhe duke shpallur në kërkim një tjetër.
Sipas njoftimit zyrtar, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka finalizuar operacionin e koduar “Wrong Delivery”, pas hetimeve të ndjekura mbi aktivitetin kriminal të falsifikimit të valutës.
Të arrestuarit janë:

A. B., 19 vjeç, banues në Shkodër

Një i mitur, 17 vjeç, banues në Tiranë

S. L., 26 vjeç, banues në Tiranë

E. A., 19 vjeç, banues në Tiranë

Ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi A. P., 19 vjeç, banues në Krujë.
Tre prej personave të arrestuar janë kapur në flagrancë në një postë private në Tiranë, në momentin kur tentonin të tërhiqnin 11 pako të mbushura me kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara. Hetimi ka zbuluar se dërgesat kryheshin nga A. B., i cili përdorte një emër tregtar të rremë për të kamufluar aktivitetin dhe për të shpërndarë kartëmonedhat.
Policia vijon punën për kapjen e 19-vjeçarit të shpallur në kërkim dhe dokumentimin e plotë të skemës së falsifikimit.
Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.