Rama nis të dielën me shpëtimin e një jete në një nga sfidat e shërbimit të Neurokirurgjisë në QSUNT

Kryeministri Edi Rama nis të dielën me një histori suksesi nga Neurokirurgjia e QSUNT: Prof. Artur Xhumari dhe ekipi i tij shpëtojnë jetën e një pacienteje
Mirëmëngjesi i sotëm, i shoqëruar nga urimi i zakonshëm për një të diel të mbarë nga kryeministri Edi Rama, u shoqërua edhe me një histori frymëzuese që vjen nga zemra e sistemit shëndetësor shqiptar. Përmes një publikimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë solli në vëmendje një ndërhyrje të suksesshme në shërbimin e Neurokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku prof. Artur Xhumari dhe ekipi i tij kryen një operacion jetik që i shpëtoi jetën një pacienteje.

Rama ndau detaje të rastit duke vlerësuar profesionalizmin e ekipit mjekësor dhe përpjekjet e tyre të përditshme për të ofruar shërbim cilësor dhe të standardeve bashkëkohore. Sipas tij, ndërhyrja e kryer jo vetëm dëshmon nivelin në rritje të kapaciteteve mjekësore në vend, por edhe rikthen besimin te burimet njerëzore dhe aftësitë që zhvillohen brenda institucioneve tona shëndetësore.

Rasti i sotëm, theksoi ai, është një mesazh i fortë mirënjohjeje për mjekët dhe specialistët që punojnë me përkushtim, shpesh në kushte të vështira, duke garantuar trajtim profesional dhe human për pacientët në nevojë. Në publikimin e tij, kryeministri falënderoi prof. Xhumarin dhe ekipin e Neurokirurgjisë për suksesin e arritur, duke e cilësuar këtë shembull si një histori që ia vlen të ndahet me qytetarët.
Ky lajm rikthen vëmendjen te progresi i pavijoneve spitalore dhe te përkushtimi i mjekëve shqiptarë që, dita-ditës, dëshmojnë se profesionalizmi dhe humanizmi janë ende shtyllat e forta të punës së tyre. Operacioni i kryer në QSUNT jo vetëm i ktheu jetën një pacienteje, por shërben edhe si një rreze shprese dhe një kujtesë se investimet në shëndetësi marrin kuptim përmes njerëzve që punojnë në vijën e parë të kujdesit mjekësor.
Albert Vataj