Vrina, grabitja e radhës që kryeministri Rama po u fal oligarkëve

Një oligark me lidhje tepër të fuqishme në kupolën qeverisëse ka filluar “punën” për zaptimin dhe vjedhjen e një sipërfaqeje të stërmadhe prone në fshatin Vrinë, në skajin më jugor të Shqipërisë, buzë detit Jon dhe në kufi me Greqinë. Projekti tepër i dyshimtë i Korporatës së Investimeve Shqiptare ka për synim grabitjen e plot 849 hektarëve buzë detit, një sipërfaqe tepër e madhe.
(Letrat e grabitjes së madhe po kopsiten si gjithnjë nga ‘kuçedra’ e pasurive të fundit publike, Elira Kokona, e vendosur nga Edi Rama dhe oligarkët në krye të Korporatës së Investimeve pikërisht për piketimin dhe kalimin e pasurive të fundit publike në duart e klientëve të pushtetit).
Padyshim që kjo do të jetë një nga vjedhjet më spektakolare, ku “dorë” të rëndë ka edhe vetë shteti, i cili lejon që prona publike të tjetërsohet dhe në të të ndërtohen resorte apo gjithçka tjetër.
Një biznesmen tepër i fuqishëm, me lidhje tepër të forta politike, ka filluar të marrë kontakte me banorë të zonës, disa prej të cilëve kanë edhe certifikata pronësie në zonë. Prej shumë muajsh, biznesmeni në fjalë ka “urdhëruar” Kadastrën e Vlorës që të mos lëshojë asnjë certifikatë pronësie apo të mos kryejë asnjë transaksion shitje, duke qenë se ka lidhur tentakulat e tij në Korporatën e Investimeve Shqiptarë, për t’a marrë të gjithën!
Faksimile: Faqja e internetit e Korporatës së Investimeve Shqiptare e cila shkruan se sipërfaqja në Vrinë është plot 849 hektarë
Harta dhe të dhënat më sipër janë publikuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila prej shumë kohësh po tenton që prona shtetërore që vlejnë dhjetëra miliona euro t’i kalojnë privatit. Madje, edhe ndërtesa ikonike, pallate sporti, stadiume apo edhe vetë Shtëpia e Fëmijës në Tiranë. Gjithashtu, edhe Pallati i Kongreseve do të ketë të njëjtin fat, teksa tashmë radha i ka ardhur edhe zonave të lakmuara bregdetare.
Ndër këto zona është padyshim bregdeti shqiptar, ku pasi zonat nga Vlora, Himara dhe Saranda u uzurpuan nga Investitorët Strategjikë, të cilët morën prona falas në bregdet, apo iu falën taksat për 10 vite, radhën e ka Korporata, e cila ka të njëjtën qasje; grabitjen e pronave shtetërore!
Vetë Korporata shkruan se në fshatin Vrinë do të bëhet një mega projekt, i cili do të shtrihet në plot 849 hektarë. Është në skajin më jugor të Shqipërisë, në kufi me zonën arkeologjike të Butrintit në veri dhe territorin grek në jug. E gjithë zona e stërmadhe është shtetërore, e pa ndarë me ligjin 7501 dhe është djerrë. Pra, është e gatshme që t’u falet privatit.
Në foto: Harta e publikuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare për territorin që do t’i falet privatit në Vrinë
Por, si mund të tjetërsosh një pronë të stërmadhe shtetërore pa një konsultim publik? Pa një dëgjesë publike, qoftë me banorët e zonës, me grupet e interesit apo edhe me historianët apo arkeologët?
Burime nga Kadastra e Sarandës i thanë redaksisë se prej disa kohësh kanë filluar verifikimet e statusit të pronës në atë zonë, për t’i hapur më pas rrugën ndërtimeve. Ose më saktë, prona private dhe ajo shtetërore, do t’i jepet firmave private ku shteti do të marrë një përqindje ndërtimi. Duket një skemë e mirëfilltë zhvatje, ku qeveria do t’i marrë pronën banorëve të zonës, më pas do të hartojë ndërtimet dhe do t’a shpallë në ankand.
Faksimile: Njoftimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare për projektin në fshatin Vrinë, në Konispol
Referuar njoftime të shpallura nga Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila thotë se ka nisur një verifikim të pronave në fshatin Vrinë, Konispol. Korporata shfajësohet se po bën këto verifikime në bazë të një VKM-je, të datës 20 nëntor 2024. Objekti i Vendimi është “për autorizimin e korporatës së investimeve shqiptare, për koordinimin e procesit të identifikimit të pronës shtetërore me interes për të realizuar projekte investimi në fshatin Vrinë, Bashkia Konispol”.
“Korporata Shqiptare e Investimeve është ngarkuar me identifikimin dhe zhvillimin e pronave shtetërore me potencial investimi në zonën e fshatit Vrinë, Bashkia Konispol. Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe njësitë e qeverisjes vendore, Korporata Shqiptare e Investimeve do të koordinojë verifikimin e të drejtave të pronësisë, përcaktimin e saktë të kufijve të pronave dhe përfundimin me përparësi të regjistrimit të tyre në regjistrat zyrtarë”, është një nga detyrat.
Një tjetër është negociatat me subjektet private. “Korporata do të zhvillojë negociata me palët private që kanë lidhje juridike me pronat në fjalë, me qëllim qartësimin e statusit ligjor dhe definimin e qartë të pjesës shtetërore” shkruhet në njoftim.
Faksimile: VKM-ja që i hapi rrugën tjetërsimit të pronave në Vrinë të Konispolit
Detyra e tretë, pasi të kenë mbaruar dy të parat, është hartimi i masterplanit. “Në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT), KSI do të hartojë një masterplan zhvillimi për të gjithë zonën, duke siguruar një qasje të integruar dhe të qëndrueshme urbanistike. Shpenzimet për këtë proces do të mbulohen nga buxheti i KSI-së” thuhet në njoftim.
Më pas, do të përgatitet një projekt zhvillimi konkret për pronën shtetërore. Duket se, katër detyrat kanë një emërues të përbashkët; tjetërsimin e pronës shtetërore, për t’ia dhënë më pas firmave dhe oligarkëve privatë.
Prona është një fushë e stërmadhe, ngjitur me Parkun e Butrintit dhe ngjitur me Kalanë e Ali Pashës. Nëse fushat e stërmëdha duhet të jenë ndarë me ligjin 7501, synimi i privatëve do të jetë zona bregdetare, në kufi me Greqinë. Janë disa gadishuj të vegjël, disa plazhe dhe ishulli fundor i Shqipërisë, Tongo.
E gjithë zona është përballë ishullit të Korfuzit, madje edhe qytetit me të njëjtin emër në Greqi. A mos ndoshta kjo zonë do të shndërrohet me resorte?! / Voxnews
Plaçkitja e pasurive publike 
Krahas ligjit klientelist për investimet strategjike, qeveria ka shpikur një tjetër nismë për të piketuar dhe kaluar në duart e të njëjtit rreth klientësh pronat dhe pasuritë e fundit publike që kanë mbetur. Pra, bëhet fjalë për Korporatën Shqiptare të Investimeve. Në krye të korporatës Edi Rama ka vendosur zonjën Elira Kokona, e gatshme për çdo operacion korruptiv me paratë dhe pasuritë publike.
Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), që mori në analizë punën e saj nga krijimi deri në vitin 2024, konstatoi konflikte juridike në funksionimin e kësaj strukture dhe mungesë mekanizmash të qartë për monitorimin e efektivitetit të procedurave dhe të ekzekutimit të projekteve. Sipas KLSH-së, këto “paraqesin një risk të lartë operacional dhe institucional për menaxhimin e pronave shtetërore, si dhe nuk garantojnë sigurinë e tyre.”
“Për më tepër, proceset e përcaktuara në këto akte ligjore nuk janë në përputhje me legjislacionin shqiptar mbi Prokurimet Publike, por mbështeten ekskluzivisht në kompetencat dhe procedurat e brendshme të AIC-së,” vëren më tej KLSH, duke evidentuar se Korporata nuk ka një metodologji standarde për seleksionimin e projekt-ideve, nuk ka studime fizibiliteti dhe ndryshon strategjitë e planet e punës nga viti në vit.
Disa nga pasuritë publike që po u falen olirgarkëve kulla dhe hotele janë:
Pallati i Kongreseve
Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli”
Kalaja e Petrelës
Vrinë, Butrin, 849 hektarë
Agjencia e Kthimit të Kompesimit të Pronave
Kalaja e Ali Pashës në Butrint
ATSH-ja mbi Gjykatën e Apelit
Stadiumi “Selman Stërmasi” 
Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’
Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës, 
Stadiumi “Selman Stermasi”, Tiranë
Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë
Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë 
Vilat qeveritare në Vlorë
Vilat qeveritare në Velipojë
Shkolla e Marinës në Vlorë
Shtëpia e Fëmijës në Vlorë
Muzeu Historik Kombëtar (i piketuar)
Bibloteka Kombëtare (e piketuar)
Kalaja e Prezës (piketuar)
Ishulli i Sazanit
Syri i Kaltër 
Pylli i Sodës etj.
Shuplaka amerikane 
Departamenti Amerikan i Shtetit ka kritikuar ashpër ligjin kontrovers të Investimeve Strategjike. Në raportin për klimën e Investimeve 2025, DASH thotë se nga ligji kanë përfituar vetëm bizneset me lidhje të forta me qeverinë. “Pjesa e parëndësishme e investitorëve të huaj që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjikë ka nxitur perceptimin midis investitorëve të huaj se ligji ka përfituar kryesisht kompanitë vendase me lidhje të forta me shumicën qeverisëse,” thuhet në raport.

Qeveria e ka zgjatur disa herë afatin e ligjit për Investimet Strategjike, ku më i fundit ishte ai i zgjatjes deri në dhjetor të vitit 2026. Por investitorët e huaj nuk lejohen të përfitojnë nga ligji dhe barriera e parë është pikërisht Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve ose AIDA siç njihet ndryshe.
Përtej kësaj, qeveria amerikane shikon edhe një tjetër problem tek ligji kontrovers.
“Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015, i jep qeverisë të drejtën të shpronësojë pronën private për zhvillimin e projekteve private që konsiderohen projekte të veçanta strategjike. Pavarësisht dispozitës që qeveria do të veprojë kur palët nuk arrijnë një marrëveshje, klauzola është një burim polemikash sepse i jep qeverisë të drejtën të shpronësojë pronën private në interes të një pale tjetër private“, përfundon raporti./Prapaskena.com