Tabaku: Balluku duhet të japë dorëheqjen bashkë me Ramën

Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka komentuar pozitën në të cilën ndodhet Belinda Balluku.

E ftuar në News24, Tabaku tha se Balluku duhet të japë dorëheqjen. Ajo shtoi se ka pasur në dorë menaxhimin e gjysmës së buxhetit të shtetit, kontrata qindra milionëshe, të cilat opozita i ka denoncuar.

‘Unë mendoj se në planin personal është në momentin më të vështirë. Në profilin si politikan duhet të kishte vendosur një standard si dorëheqja që në këtë qeveri nuk ekziston, e një zv/kryeministre që i hap rrugë drejtësisë, të vendoste standardin e transparencës. Ndodhemi në një moment që sinjali që duhet të jepet është që duhet të kemi frikë nga ligji, por ato që lexova nga dosja, duket se nuk ka patur fare frikë nga ligji.

Balluku menaxhonte gjysmën e buxhetit të shtetit, kontrata qindra milionëshe, të cilat i kemi denoncuar dhe jemi sulmuar në Kuvend, pse i denoncojmë. Morali politik do ta kërkonte që të jepte dorëheqjen, në të kundërt ajo erdhi dhe sulmoi opozitën.

Një gjë që që kam mësuar këtë vit është kompromisi i fjalës dhe unë nuk bëj kompromis me fjalën. Kam bërë reagimet e mia, kam kërkuar dorëheqjen, Balluku ka qenë te komisioni hetimor për inceneratorët. Ka një histori që secili e ka individualisht por dhe politikisht. Bardhi është përballur politikisht me të në Fier, dhe unë dua ta shoh dhe nga impakti elektoral që ka patur. Pasi një person që ka menaxhuar këto kontrata qindra milionë euro dhe kur flitet për 1/3 e tyre që kanë qenë taksë korrupsioni imagjinoni vështirësinë e demokratëve në terren. Shumica e dosjeve në SPAK kanë shkuar prej Bardhit. Unë kam çuar një dosje për shitjen e energjisë, Berisha po ashtu’, deklaroi Tabaku.