Moti i keq paralajmëron vërshime, IGJEO jep udhëzime për qytetarët

Kronikë E Shtunë, 22 Nëntor 2025 19:00
Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO) njoftoi se pasditen e sotme dhe gjatë ditës së nesërme priten reshje me intensitet të lartë, të shoqëruara me shtrëngata, që për momente të shkurtra mund të shkaktojnë vërshime të ujit në zonat urbane. Rreziku varet kryesisht nga kapaciteti i sistemeve të kanalizimeve në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër.
Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEO-s, reshjet intensive të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri të dielën, 23 nëntor, pritet të shkaktojnë rritje të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm, si Mat, Shkumbin, Seman dhe Vjosa.

Sot pasdite dhe nesër priten reshje mesatare deri lokalisht intensive në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Elbasan, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në qarqet Kukës, Dibër dhe Tiranë reshjet do të jenë kryesisht mesatare. Në qarqet Fier, Berat dhe Korçë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare. Në të gjithë territorin reshjet do të shoqërohen me shtrëngata, duke e bërë situatën më të rrezikshme për përmbytje dhe vërshime të mundshme.

Nesër pritet që temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit të arrijnë: në bregdet 4 / 11 °C, në vendet e ulëta 9 / 11 °C dhe në vendet malore 4 / 8 °C. Era do të fryjë mesatare deri e fortë kryesisht në zonat bregdetare, duke përforcuar efektin e reshjeve dhe duke krijuar kushte të vështira për lundrim dhe qarkullim rrugor.

Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri për të ndihmuar banorët në zonat më të prekura dhe për të parandaluar dëmet e mundshme nga vërshimet urbane dhe rrëshqitjet e dheut. IGJEO rekomandon qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve për sigurinë gjatë periudhës së reshjeve intensive.