Aleksandër Vuçiç
SERBI-Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka reaguar mbi akuzat e ngritura se ka qenë pjesë e grupit të ashtuquajturit “Safari i Sarajevës”, ku njerëz të pasur dhe zyrtarë të lartë qëllonin me snajper civilët gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak në vitet ‘90.
Vuçiç deklaroi se kurrë nuk ka mbajtur pushkë në dorë dhe njoftoi se do të ngrejë padi kundër mediave që e kanë publikuar këtë, duke shtuar se do angazhojë avokatët më të mirë në botë.
Aleksandër Vuçiç: Unë nuk kam pasur pushkë; madje kur kam ardhur dhe kam pyetur nëse mund të jem me ju, më thanë ‘djalosh, kthehu, na duhet gazetar dikush që di anglisht’. Historia është aq absurde dhe këtë e dinë të gjithë; kam incizime, dëshmitarë, dhe aty ku thonë se ishte pushka, në fakt ishin këmbët mbajtëse të kamerës që po ia mbaja kameramanit.
Konkretisht The Guradian shkruan se prokurorët e Milanos nisën një hetim që synonte identifikimin e italianëve të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje, të akuzuar për vrasje me dashje të rënduar nga mizori dhe motive të shëmtuara. Sipas hetuesve, grupe “turistësh snajperë” dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjet masive pasi u kanë paguar shuma të mëdha parash ushtarëve që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhiçit – ish-liderit serb të Bosnjës i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit – për t’u transportuar në kodrat përreth Sarajevës në mënyrë që të qëllonin mbi popullsinë për kënaqësi.
Gazetari postoi prova në mediat sociale se Vuçiç, atëherë një vullnetar i ri, ishte i pranishëm në një nga postet ushtarake në Sarajevë nga e cila, sipas dëshmitarëve, shtetas të huaj dhe njësi ultranacionaliste serbe qëllonin dhe vrisnin civilë në atë që është përshkruar si një “safari turistik” makabër.
Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet dhe të shtënat me snajper midis viteve 1992 dhe 1996 në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia./ZËRI
