Cilat zona të Kosovës rrezikohen nga përmbytjet e paralajmëruara?

Kronikë E Shtunë, 22 Nëntor 2025 17:26
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka lëshuar një paralajmërim për mundësinë e përmbytjeve në disa zona të vendit, si pasojë e reshjeve të reja të shiut që pritet të bien gjatë pasdites së të shtunës dhe ditës së diel. Përmes një njoftimi në Facebook, instituti bëri të ditur se ka ngritur nivelin e alarmit në të verdhë, i cili nënkupton se kushtet e motit janë “potencialisht të rrezikshme”.
Aktualisht, nivelet e ujit në lumenjtë e Kosovës po shënojnë rënie pas vërshimeve të fillimjavës, por parashikimet tregojnë se pritet një rritje e sërishme e tyre si rezultat i reshjeve të ardhshme. Sipas njoftimit, reshjet e shiut pritet të përfshijnë pjesët lindore, verilindore, qendrore dhe jugore të territorit.

Këto reshje parashikohet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e niveleve të ujit, veçanërisht në Lumin Morava e Binçës dhe degën e tij kryesore, Kriva Reka, të cilat paraqesin rrezik për të shkaktuar vërshime. “Situata e tillë do të dominojë edhe në pjesë të tjera të vendit, sidomos pjesa veri-lindore (Pellgu i Llapit), qendrore (Sitnica) dhe jugore (Pellgu i Lepencit)”, theksohet në komunikatën e institutit. Ky paralajmërim vjen vetëm pak ditë pasi Prishtina mori vendim për të ndërprerë mësimin në të gjitha shkollat të martën, për shkak të reshjeve intensive dhe rrezikut nga përmbytjet.

Gjatë ditëve të hënë dhe të martë u raportuan vërshime të vogla në pjesë të ndryshme të vendit, të cilat fatmirësisht nuk rezultuan me viktima apo dëme materiale të konsiderueshme. Kosova është përballur në mënyrë të përsëritur me përmbytje gjatë viteve të fundit, të cilat kryesisht kanë shkaktuar dëme materiale. Si një faktor kontribuues në këtë fenomen vlerësohet dëmtimi i shtretërve të lumenjve, i shkaktuar nga nxjerrjet e paligjshme të zhavorrit.