Përmbytjet në Korçë, dhjetëra banesa të dëmtuara dhe toka bujqësore nën ujë

Kronikë E Shtunë, 22 Nëntor 2025 16:45
Situatë e vështirë është krijuar në qarkun e Korçës si pasojë e reshjeve intensive të shiut gjatë dy ditëve të fundit. Bashkitë më të prekura janë Pogradeci dhe Maliqi, ku raportohen dëme të shumta materiale. Në bashkinë e Pogradecit, bilanci paraprak flet për rreth 50 banesa të përmbytura apo të dëmtuara nga rrëshqitjet e tokës. Dëme janë shkaktuar edhe në infrastrukturë, përfshirë disa ura dhe çarje të konsiderueshme në unazën e qytetit e lagje të tjera.
Për arsye sigurie, autoritetet lokale kanë bërë të mundur evakuimin dhe strehimin e përkohshëm të 3 familjeve. Gjendja mbetet problematike edhe në Maliq, ku sipërfaqe të tëra tokash bujqësore ndodhen nën ujë. Forcat e emergjencës, së bashku me stafin e bashkisë, janë angazhuar në terren pa pushim për të mbyllur dhe përforcuar argjinaturat e lumenjve kryesorë në zonë, me qëllim parandalimin e një përkeqësimi të mëtejshëm.