Pezullim nga detyra, e ndalim i daljes jashtë vendit/ Mbeten në fuqi masat ndaj Ballukut e 2 bashkëpunëtorëve

GJKKO nuk ndryshon masën e sigurisë për numrin 2 të qeverisë, Belinda Ballukun dhe dy bashkëpunëtorët e saj, kreu i ARRSH-së dhe kreu i KESH, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Gjyqtari Erjon Çela ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e masës së sigurisë të  marrë më 19 nëntor, atë të pezullimit nga detyra të Belinda Ballukut si zv/kryeministre dhe minister e Infrastrukturës e Energjisë si dhe i ndalohet dalja jashtë shtetit, pra i bllokohet pasaporta.

Ndërkohë mbetet në fuqi dhe masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’ për kreu i ARRSH-së dhe kreu i KESH, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.

Balluku dhe dy bashkëpunëtorët akuzohen për  kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal në dy raste, atë tenderit të “Ndërtimi i tunelit të Llogarase”²  dhe “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4 me vlerë 210 mln euro.

5 orë seancë

Ka zgjatur 5 orë seanca e vlerësimit të masës së sigurisë. Seanca e nisur në orën 09:00 u mbyll pas 5 orësh, rreth orës 14:00, ku palët përballën argumentet pro e kundër ndryshimit të masës së sigurisë. 
SPAK u përfaqësua nga vetë prokurori i dosjes, Dritan Prençi. Balluku u mbrojt nga dy avokatë, Pamela Qirko, motra e saj dhe Ardian Kalia.

Në orën 14:37 minuta zv/kryeministrja e pezulluar Belinda Balluku u largua nga GJKKO së bashku me dy bashkëpunëtorët e saj pa pranuar të prononcohen për median.