Berisha i drejtohet “Kushtetueses”, kërkon “çlirim” nga masat e sigurisë

sali berisha

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar shfuqizimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Në kërkesën e dorëzuar më datë 20 nëntor, Berisha kërkon që masa, të cilën po e zbaton prej një viti, të shpallet antikushtetuese. 
Padia e Berishës synon të rrëzojë vendimin e gjyqtarit Engert Pëllimbi në Apelin e GJKKO, që në janar të këtij viti, pas lirimit të Berishës, e zëvendësoi masën e arrestit të shtëpisë me atë të detyrimit të paraqitjes. Paralelisht, Berisha ka kërkuar edhe shfuqizim të masës arresti shtëpie, ndonëse ajo masë i është hequr. Padia për shpalljen antikushtetuese të caktimit të arrestit shtëpiak, shfuqizuar më vonë, do të shqyrtohet në datën 17 dhjetor, ora dhjetë. Njëkohësisht, gjykata kushtetuese ka nxjerrë datën edhe për kërkesën e Jamarbër Malltezit, dhëndëri i ish-kryeministrit Berisha.
Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën, relatore është caktuar gjyqtarja Fiona Papajorgji dhe seanca e parë do të mbahet vitin tjetër, më 20 janar 2026. Ndërkohë, më 17 dhjetor do të mbahet seanca për të provuar nëse ishte kushtetuese apo jo masa e arrestit të shtëpisë që mbajti kreun e PD, 11 muaj në shtëpi duke mbajtur fjalime në ballkonin e katit të tetë.
Në çështjen “Partizani”, Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi SPAK pretendon se gjatë periudhës kur ishte kryeministër, ai favorizoi dhëndrin e tij Jamarbër Malltezin në përfitimin e pronës, duke i hapur rrugë përfitimeve të parregullta në vlerë prej 5.4 milionë eurosh nga një biznes ndërtimi. Përveç Berishës dhe Malltezit, të pandehur në këtë dosje janë edhe ortaku i Malltezit, Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina./ZËRI