Loja e pistë e Ramës me juristin e njohur amerikan për të mbuluar hijen e zezë të narko-diktaturës

Citimi i ekspertëve ose figurave të njohura, shpesh duke i nxjerrë nga konteksti apo duke i trajtuar sipas interesave të momentit, është një nga tiparet kryesore të autokratëve modernë. Bëhet fjalë për një mjet bindjeje, një fallaci retorike që është trajtuar vazhdimisht si një formë e ndyrë e propagandës dhe manipulimit.

Nuk është çudi që Edi Rama e nisi sot ditën duke cituar një nga juristët më të njohur amerikanë, Robert H. Jackson, si një mënyrë për të mbrojtur ‘kryqëzatën’ që ka nisur në emër të Belinda Ballukut.

Sipas Jackson- pra sipas Ramës- kur drejtësia kërkon njeriun përpara krimit, ajo vdes. Kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta nuk merr më frymë.

Nëse e mendon se erdhi dita që Edi Rama të flasë për drejtësi, ndarje pushtetesh dhe zbatimin e Kushtetutës, ky do ishte kulmi.

Por si çdo narko-diktator tjetër, qëllimi i tij nuk është kurrsesi as ndarja e pushteteve, as zbatimi i Kushtetutës dhe aq më pak drejtësia. Qëllimi është ndërtimi i narratives që shpreson së do të funksionojë jo vetëm në Shqipëri, por sidomos për ndërkombëtarët.

E para, Rama synon të qetësojë Belinda Ballukun, e cila, e tërbuar siç u shfaq edhe të shtunën në SPAK, e ka kërcënuar se do bëjë gjithçka për të mos u dorëzuar.

E dyta, Rama po përpiqet të tregojë para ndërkombëtarëve se drejtësia po funksionon sepse po godet lart, madje në rrethin e tij të ngushtë. Këtë ‘përrallë’ e kanë besuar edhe ata që më përpara dukeshin sikur ishin skeptikë të drejtësisë së ashtuquajtur të re.

E treta, duke cituar një figurë të njohur ndërkombëtare në fushën e jurisprudencës, dhe duke përmendur standarde perëndimore, Rama synon të paraqitet si mbrojtës i rendit kushtetues, përballë një drejtësie që “duhet të jetë e kujdesshme”.

Por ajo që po ndodh me çështjen Balluku nuk është një përballje e vërtetë mes pushteteve, por një skenar i mirëkalkuluar i një autokrati për të mbrojtur sistemin e tij të ngritur mbi klientelizëm dhe korrupsion të institucionalizuar.

Ndërkombëtarët nuk duhet ta shohin reagimin e Edi Ramës si një përballje të sinqertë midis pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë, por si një strategji e rafinuar politike e një autokrati për të mbrojtur një sistem të ngritur dhe ushqyer prej tij.

Në fund të fundit, Belinda e para, por edhe çdo perëndimor, duhet ta dijë se Edi Rama, si çdo lider tjetër autokratik me instinkt të fortë kontrolli, është i gatshëm të sakrifikojë çdo njeri në sistemin e tij për të mbrojtur vetveten.

Doni shembuj? I keni të shumtë që nga Rusia e deri në Afrikë.

Prandaj është koha për të kuptuar se kjo është thjesht një lojë e pistë për të mbuluar hijen e zezë të narko-diktaturës shqiptare.

Pavarësisht se si do shkojnë gjërat, emri i Ballukut mund të përfundojë edhe si statistikë për në zyrat e BE-së. Koha e ka provuar se Marta Kos është e para që i beson këto statistika.