Krujë/ Banorët e Borizanës në protestë për guroren: Po na prish shtëpitë dhe shkakton përmbytje

Banorët e fshatit Borizanë të Krujës janë ngritur sot në protestë pas përmbytjeve dhe shkatërrimeve masive prej motit të keq të të ditëve të fundit, që u vjen nga një gurore pranë shtëpive dhe hedhja e mbetjeve të shumta (fekale e ujëra të zeza), që dyshojnë se u vjen nga zona e Tiranës.
Situata e reshjeve intensive të mesjavës, që shkaktuan anomali të ndryshme në disa zona të këtij rrethi, ka sjellë sot (22 nëntor) edhe reagimin e tyre. Në fshatin Borizanë operojnë edhe disa gurore, madje fare pranë banesave.
Pikërisht një prej tyre ka bllokuar edhe përroin, i cili si pasojë e situatës atmosferike dhe reshjeve ka shkaktuar përmbytjet.
Një gurore e cila ndodhet rreth 100 metra larg banesave dhe e cila po ju shkakton mjaft dëme e shqetësime, edhe shëndetësore. Banoret shprehen se kjo gurore ka 20 vjet që u shkatërron shtëpitë dhe pronat, edhe pse janë ankuar apo kanë bërë dhjetëra denoncime në Prokurori e Polici, si dhe në pushtetin vendor e lokal.
“Asnjë masë nuk ëhstë marrë, pavarësisht denoncimeve dhe ankesave tona. Shtëpitë vijojnë të na shkatërrohen”, shprehen banorët.
Madje disa banorë janë edhe në procese gjyqësore me kompaninë që zoteron guroren. Subjekti është në pronësi të Shpresiona Shima, e cila zotëron kompaninë “Shpresiona Albania shpk”, e cila operon në këtë vend prej rreth 20 vitesh.