Kërkoi përjashtimin e gjyqtarit, Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e Ilir Metës

ilir meta

TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta, i cili kishte kërkuar përjashtimin e gjyqtarit Ilir Panda. Sipas Gjykatës, kërkesa cilësohet si e pabazuar. Meta i është drejtuar me rekursin e radhës Gjykatës së Lartë ku kërkon heqje të arrestit në burg, ndërsa përpara hapjes së seancës që do të mbahet në dhomë këshillimi, mbrojtja e ish-presidentit kërkoi largimin e Pandës nga gjykimi. 
Seanca ndaj Metës do të zhvillohet më 27 nëntor, ku do të shqyrtohet sërish ankimimi për masën e “arrestit në burg”. Shkak për shtyrjen u raportua më herët mungesa e avokatit të Metës, Kujtim Cakrani, i cili ka kërkuar më parë largimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi, duke pretenduar konflikt interesi. 

Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI