Reshjet “pushtojnë” vendin! Shënohet viktima e parë nga moti i keq, gjendet e mbytur 76-vjeçarja në Devoll

permbytje

TIRANË- Reshjet e shiut vijojnë prej disa ditësh dhe situata e përmbytjeve mbetet problematike pothuajsë në të gjithë territorin, ndërsa është konfirmuar viktima e parë nga moti i keq në vend. 76-vjeçarja, Flora Hoxha, është gjetur e mbytur në Devoll. Dyshohet se të moshuarën e mori rrjedha e përroit në fshatin Proger një ditë më parë. Familjarët kishin humbur kontaktet me të që prej mëngjesit të ditës së premte. Sipas familjarëve, e moshuara vuante nga demenca, çka dyshohet të ketë ndikuar në largimin e saj nga shtëpia. Për gjetjen e trupit u angazhuan forcat e policisë, zjarrfikësit dhe emergjencave civile dhe vetëm mëngjesin e sotëm është bërë e mundur gjetja e saj.
Situata vijon të mbetet problematike edhe në zona të tjera si në Fier, ku lumi Seman ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa stalla dhe pemishte në Mbrostar. Ndërsa Lumi Vjosë tregon ulje niveli dhe Lumi Shkumbin është në kuota normale. Lumenjtë Vjosë, Seman dhe Shkumbin po monitorohen nga strukturat vendore pas reshjeve të mëdha.
Në Berat, situata paraqitet më e qetë nuk ka më problematika, megjithëse në fshatra ka prani të ujit në tokat bujqësore. Në bashkinë Dimal, në disa banesa në lagjen Dafinë ka ende prani të ujit. Në fshatin Çiflik  po ashtu ka ende ujë në tokat bujqësore. Në bashkinë Kuçovë, në fshatin Tapi, ka problematika në tokat bujqësore dhe sera. 
Në qarkun Gjirokastër, në bashkinë Libohovë, rruga Suhë-Poliçan është ende e bllokuar si dhe dëmtimi i urës së Glinës në Bashkinë Dropull. Në territorin e qarkut ka patur reshje me intensitet të lartë. Ndërkohë në Memaliaj, vijojnë të mbeten pa energji elektrike 20 fshatra.
Lezha vijon të përballet me një situatë alarmante prej disa ditësh. Situata e krijuar nga përmbytjet në zonën e bregut të Matës në Lezhë vijon të jetë problematikë. Pavarësisht mbylljes se argjinaturës niveli i ujit vijon të jetë i lartë, kryesisht në Barbullojë dhe Myltë. Banorët janë të izoluar dhe nuk kanë mundësi lëvizje, ndërsa nevojë kanë për bazë ushqimore për bagëtitë. Banorët thonë se kanë nën 4 ditë nën ujë./ZËRI