Verifikimi i masave të sigurisë/ Belinda Balluku dhe dy vartësit në GJKKO, seanca “pezull” për 2 orë

Belinda Balluku në GJKKO

TIRANË- Belinda Balluku u paraqit mëngjesin e së shtunës rreth orës 09:00 në Gjykatën e Posaçme për marrjen në pyetje dhe ku do i komunikohej masa e sigurisë “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Pasi qëndroi për rreth 45 minuta, Balluku doli nga ambientet e GJKKO-së, teksa nuk dha asnjë prononcim për mediat. GJKKO ka vendosur shtyrjen me 2 orë, pas kërkesës së mbrojtjes për tu njohur me aktet dhe më pas senaca do të rinisë sërish.

Më herët, në Gjykatën e Posaçme u paraqitën për verifikim të masës së sigurisë edhe kreu i ARRSH Gentian Gjyli dhe drejtori i KESH Erald Elezi. Gjyli dhe Elezi janë shoqëruar me polici për shkak të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH.

Ndërkohë, më 31 tetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) komunikoi zyrtarisht se ka ngritur akuzë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim./ZËRI