U pezullua nga detyra/ Sot seanca, Belinda Balluku mbërrin në GJKKO

Sot në orën 09:00, në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), zhvillohet seanca gjyqësore për Belinda Ballukun dhe dy vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi.
Belinda Balluku, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së, ka mbërritur në ambientet e gjykatës për verifikimin e masave të sigurisë të caktuara ndaj saj. Belinda Balluku mbërriti e shoqëruar nga avokati i saj rreth orës 08:50, por nuk bëri asnjë deklaratë për mediat.
Balluku u pezullua nga detyra dhe iu ndalua dalja jashtë vendit, pas vendimit të GJKKO-së dy ditë më parë. Seanca e sotme ka për qëllim marrjen në pyetje të të pandehurve dhe verifikimin e kushteve të caktimit të masave të sigurisë.
Në njoftimin zyrtar, GJKKO bën të ditur se seanca po zhvillohet në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, të regjistruar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).
Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur, në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit 180 milionë euro. Ndërsa sot SPAK ka ngritur edhe një akuzë të re mbi Ballukun për abuzim me tendera për lotin 4 të Unazës së Madhe.
Ndërkohë përveç masave ndaj Ballukut, gjykata ka caktuar masë sigurie edhe për dy vartësit e saj, drejtori i KESH, Erald Elezi dhe kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli, të cilët janë lënë në “arrest shtëpie”.