Loreta Koleci
TIRANË- Për herë të parë pas 14 vitesh, ish-kryeministri Sali Berisha është marrë në pyetje si person në dijeni nga Prokuroria e Posaçme për 21 janarin, ngjarjen ku mbetën të vrarë përpara zyrës së tij 4 protestues. Pas rihapjes së hetimeve nga SPAK, me urdhër nga Gjykata e Lartë, një sërë ish-funksionarësh të lartë shtetërorë do të merren në pyetje nga prokurori Alfred Shehu, për vrasjet e ndodhura në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një protestë të organizuar nga opozita e atëhershme, Partia Socialiste, ndërkohë që Berisha ishte kryeministër i vendit.
Berisha qëndroi dje dy orë në Prokurorinë e Posaçme, ku u pyet mbi rolin e tij, dhe urdhrat që janë dhënë për të hapur zjarr ndaj protestuesve, ku pati dhe 4 viktima: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Pas daljes nga Prokuroria e Posaçme, Berisha tregoi se ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandanti i Gardës Ndrea Prendi i kanë kërkuar që të evakuohej nga selia e Kryeministrisë gjatë protestës, por ai qëndroi në zyrë. Berisha i qëndroi pretendimeve të dhëna më herët, ku tha se nuk ka dhënë asnjë urdhër për vrasjen e protestuesve. Kreu i opozitës mohoi të jetë qëlluar nga brenda godinës dhe sipas tij, Garda nuk merr urdhëra, por ka vepruar në bazë të ligjit. Tani do të kthehemi pas në kohë për të parë se si nisi e gjithë ngjarja dhe se si SPAK nisi hetimin për “21 janarin”.
Çfarë ndodhi ditën e ftohtë të 21 janarit 2011?
Opozita e vendit, Partia Socialiste, thirri një protestë mbarëpopullore kundër, sipas saj, sistemit të kalbur dhe të korruptuar dhe qeverisë Berisha që kishte keqpërdorur dhe keqmenaxhuar resurset shtetërore, duke shkaktuar varfëri dhe zemërim të madh në vend. Protesta ishte thirrur të mbahej në orën 12:00, ku qytetarë nga e gjithë Shqipëria marshuan nga Sheshi “Skënderbej” drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, e cila në atë kohë ishte e rrethuar me kangjella mbrojtëse. Mijëra qytetarë, të rinj, të reja, familjarë, pensionistë, si edhe deputetë të opozitës protestuan përpara Kryeministrisë, ndërsa forca të shumta policie kishin rrethuar godinën.
Rreth orës 14:00, situata filloi të dilte jashtë kontrollit, pasi qindra qytetarë u përleshën me forcat e policisë. Dukej se protesta nuk ishte më thjesht paqësore dhe gjithçka mori një drejtim tjetër. Për shkak të dhunës dhe të mosmenaxhimit të situatës, të shtëna me armë zjarri u dëgjuan në ajër dhe më pas drejt protestuesve, rreth orës 16:00. Protesta përfundoi me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, të katër protestues dhe qytetarë të thjeshtë. Partia Demokratike, në qeveri, e cilësoi tubimin si tentativë për grusht shteti.
Si nisën hetimet?
Hetimet fillestare nisën më 21 janar 2011 nga Prokuroria e Tiranës, e cila dërgoi për gjykim ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendin, dhe gardistin Agim Llupo, të cilët u dënuan me 1 dhe 3 vite burg. Familjarët e Aleks Nikës, i vetmi që ngeli pa autor të identifikuar, kërkuan që çështja të kalonte në SPAK. Më 12 mars 2024, Gjykata e Lartë, duke u bazuar edhe në frymën e Gjykatë së Strasburgut, vendosi që ngjarja të hetohet si krim shtetëror, për të sqaruar rolin e drejtuesve të lartë të kohës, përfshirë Berishën, Bashën dhe ish-drejtuesin e Gardës.
SPAK nisi zyrtarisht hetimet më 16 korrik 2024, me tre akuza: vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim, shpërdorim detyre dhe pengim i zbulimit të së vërtetës.
-Më 23 korrik 2024, Ndrea Prendi u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për t’u pyetur në lidhje me armët e zjarrit të përdorura përballë protestuesve.
-Më 30 tetor 2025, ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha u mor në pyetje për 1 orë e 20 minuta nga prokurori Alfred Shehu. Pas daljes, Basha ishte i rezervuar përballë gazetarëve.
-Ndërsa, më 19 nëntor 2025 u paraqit Sali Berisha, i cili më herët kishte refuzuar dy herë ftesën e SPAK për të dëshmuar për 21 janarin.
Dosja e 21 janarit vijon të jetë nën hetim nga SPAK, ende pa persona të marrë të pandehur, ndërsa familjarët e katër të vrarëve presin pas 14 vitesh të ketë drejtësi dhe të ketë përgjegjës për urdhrat që çuan në një prej ngjarjeve më të rënda politike të tranzicionit në Shqipëri./ZËRI
