Një 39-vjeçar shqiptar u arrestua nga policia greke, pasi ishte shpallur në kërkim dhe gjithashtu ndaj tij ishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti, për llogari të Belgjikës.
Policia greke njoftoi se i arrestuari është Osmen Hoxha, banues në Qendër të Fierit.
Media e vendit fqinj informon se arrestimi i tij u krye nga oficerë policie të Nëndrejtorisë së Narkotikëve të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar të policisë greke.
Urdhër-arresti kishte të bënte me përfshirjen e Hoxhës në një organizatë kriminale me seli në Belgjikë, e cila dyshohet se është aktive në importimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në vendet evropiane, si dhe në kultivimin e plantacioneve të marijuanës dhe funksionimin e impianteve të përpunimit dhe riformulimit të drogës jashtë vendit.
Bëhet fjalë për një aksion ku në muajin shtator 2024 në portin e Antwerp të Belgjikës, u sekuestrua një kontejner i cili përmbante 500 kilogramë kokainë.
Shqiptari i arrestuar është dërguar në Prokurorinë Publike kompetente, ku është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa hetimi për rastin vazhdon.
