pamje nga grabitja
MADRID-Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e 2 mijë bizhuterive në Madrid ku u vodhën rreth 2,200 bizhuterive, me vlerë mbi 1 milion euro. Vjedhja ndodhi gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike më 28 prill, ditën kur gadishulli iberik dhe një pjesë e Evropës perëndimore u përball me një “blackout” energjitik, në dyqanin e bizhuterive José Luis në qendrën tregtare Plaza Norte 2 në San Sebastián de los Reyes (Madrid). Por si ra në pranga hajduti shqiptar.
Tre ditë para se të vidhte më shumë se një milion euro bizhu nga një dyqan bizhuterish në San Sebastián de los Reyes (Madrid), Mitesku, 40 vjeç dhe me origjinë shqiptare, bleu një makinë. Një Hyundai Santa Fe i vjetër, për të cilin pagoi 4.000 euro, shkruan El Pais.
Me gjithë vendin të paralizuar dhe të zhytur në një kaos të përgjithshëm, Mitesku priti që të binte nata dhe doli nga apartamenti në Alcobendas, ku kishte marrë me qira përkohësisht një dhomë.
U ngjit në Hyundai-n e tij gri dhe u drejtua drejt qendrës tregtare Plaza Norte 2, ku ndodhet dyqani i bizhuterive José Luis, me logon “JL”, në katin e fundit të ndërtesës mbresëlënëse me kupolë xhami pranë N-1. Në çantën e shpinës mbante një sharrë rrethore, një kaçavidë, një çekiç dhe litarë. E la makinën disa rrugica larg destinacionit dhe, me shumë mundësi, arriti atje duke ecur, ashtu siç u largua më pas.
Hetuesit ende nuk kanë mundur të zbulojnë se si u ngjit në çatinë e qendrës tregtare, por pas shikimit të më shumë se 500 orëve incizime të kamerave të sigurisë në zonë, që vazhduan të funksiononin me gjeneratorët e tyre, e panë për herë të parë me fytyrën të mbuluar, me çantën në shpinë dhe duke marrë referenca me celularin në pjesën më të lartë të ndërtesës.
Saktësia e lëvizjeve të tij dhe njohuria e dukshme që kishte për hollësitë e ndërtesës, bënë që hetuesit të mendojnë se vjedhja ishte planifikuar shumë mirë, me shumë informacion.
Në një nga incizimet e shpëtuara nga shumë kamerat e sigurisë të zonës, rreth mesnatës së ditës së errësirës, shohin që ndizet drita e një automjeti të parkuar në rrugë dhe vendosin të ndjekin itinerarin e tij, sepse përputhet pak a shumë me orën e arratisjes së hajdutit.
Bëhet fjalë për një makinë gri. Një ndjekje e vazhdueshme nga kamerat në itinerarin e saj tregon se makina del nga San Sebastián de los Reyes dhe kalon në komunën fqinje Alcobendas, deri sa hyn në një parking. Më pas person misterioz del nga ai parking me çantën mbi shpinë. Është ai.
Në atë moment hapen dy hetime paralelë që zhvillohen për javë me radhë: njëri për të lokalizuar automjetin (duke krahasuar modele dhe karakteristika) dhe tjetri, duke kërkuar çdo rrugicë të zonës për të gjetur drejtuesin. Arrijnë të përcaktojnë se pronari i makinës është i regjistruar në zonën ku e panë burrin me çantë. Por kur e identifikojnë, konstatojnë se ditën pas kryerjes së vjedhjes, makina ka dalë nga Spanja përmes kalimit të Junquerës, me shumë mundësi e drejtuar prej tij.
Disa ditë më pas, me të gjitha mjetet policore për lokalizimin e të arratisurve në funksion, dhe pas krahasimit të të dhënave me bazat e Europol, zbulojnë se makina është shitur në Rumani dhe se pronari lëviz lehtësisht në Evropë me të paktën pesë identitete të ndryshme dhe kërkohet nga tre vende për vepra të ngjashme, përveçse kërkohet nga gjykatat e Sevijës dhe Malagës për vjedhje të dhunshme.
Më 21 tetor, pasi e monitoruan me një automjet tjetër, hetuesit e grupit të vjedhjeve e rrethojnë dhe e arrestojnë. Ai shfaqet i qetë, i bindur se nuk mund t’i atribuohet asnjë krim sepse mban një identitet të ri shqiptar, me të cilin ndihet i sigurt.
“Jam shofer kamioni, vij nga Rumania, ku jetoj me gruan dhe vajzën, duhet të ketë ndodhur një gabim”. Por fytyra dhe sjellja e tij ndryshojnë kur agjentët fillojnë ta thërrasin me emrat e ndryshëm që shfaqeshin në pasaportat e tij dhe dorëzohet kur e pyesin për kryqin prej ari që mbante në qafë.
‘Ma dha vajza ime,’ thotë ai ndërsa ia heqin gjatë kontrollit rutinë në komisariat.
Në momentin e arrestimit, ai mbante me vete gati 3,000 euro para të gatshme, origjinën e të cilave nuk mund ta justifikonte./ZËRI
