Ajo që ndodhi me zv/kryeministren dhe ministren Belinda Balluku, si precedenti i parë nga drejtësia e re, mund të bëhet udhë edhe për ministra të tjerë. Në të vërtetë, ka pasur ministër nën hetim nga Prokuroria edhe më herët: dikur, Lulzim Basha. Ai hetohej, por vazhdonte punën si ministër i Transportit. Berisha e mbajti në detyrë, ndonëse ishte nën hetim. Asokohe askush nuk foli, derisa dosja u pushua.
Në rastin e Ballukut, askush nuk po thotë të mos hetohet.
Dhe nuk mund të mbrohet mos hetimi!
Balluku duhet të hetohet si të tjerët, por pezullimi krijon precedent jokushtetues, sepse kështu rezulton se pushteti gjyqësor mund të bëjë qeverinë, e cila ka marrë mandat popullor. SPAK mund të kishte kërkuar heqjen e imunitetit të deputetes Balluku, sesa një vendim pezullimi.
Dueli mes pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv po shkon në Gjykatën Kushtetuese, dhe ajo, nisur nga precedenti, do të vendosë me një normë përfundimtare se si do të veprohet pas rastit Balluku. Nëse Kushtetuesja e kthen në normë “pezullimin”, nuk është çudi që të kemi qeveri të pezulluar, në mos edhe qeveri pa kryeministër!
Jo vetëm qeverinë e Ramës, por edhe çdo qeveri pas Ramës!
