SHKRESA- Pezullimi nga detyra i Belinda Ballukut! Qeveria-Gjykatës Kushtetuese: Të shfuqizohet vendimi

Edi Rama dhe Belinda Balluku

TIRANË-Është zbardhur kërkesa e qeverisë dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vendimin e GJKKO për pezullimin e Belinda Ballukut nga dy postet, si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. 
Kryeministria argumenton se është krijuar një konflikt kompetencash midis Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar. Këshilli i Ministrave kërkon pezullimin e efektit të vendimit të GJKKO-së deri në shqyrtimin e çështjes nga Gjykata Kushtetuese, duke lënë të hapur mundësinë e një rivlerësimi të masave ndaj Ballukut.

Shkresa:
Konflkti i kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave;
Shfuqizimi i vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese
Pezullimin e vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese;Interpretimin e pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës.
Ndërkohë në pritje të një vendimi nga Kushtetuesja, vetë kryeministri Edi Rama njoftoi se zëvendësimi i Ballukut në qeveri nuk do të ndodhë, duke lënë dy ‘karriget’ që ajo mbante bosh.

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH./ZËRI