Pamje që tregon Aleksandar Vuçiçin në Sarajevë në vitin 1995
SERBI-Një gazetar investigativ kroat ka paraqitur një padi te prokurorët e Milanos kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i dyshuar për përfshirje në grup snajperësh në Sarajevë gjatë Luftës së Bosnjës, në të cilat të huaj të pasur dyshohet se paguan shuma të mëdha parash për të qëlluar civilët boshnjak, në vitet 1990.
Konkretisht The Guradian shkruan se prokurorët e Milanos nisën një hetim që synonte identifikimin e italianëve të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje, të akuzuar për vrasje me dashje të rënduar nga mizori dhe motive të shëmtuara. Sipas hetuesve, grupe “turistësh snajperë” dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasjet masive pasi u kanë paguar shuma të mëdha parash ushtarëve që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhiçit – ish-liderit serb të Bosnjës i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit – për t’u transportuar në kodrat përreth Sarajevës në mënyrë që të qëllonin mbi popullsinë për kënaqësi.
Gavazzeni tha se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth turistëve të dyshuar si snajperë në shtypin italian në vitet 1990, por vetëm pasi pa Sarajevo Safari , një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupaniç, filloi të hetonte më tej. Të mërkurën, gazetari investigativ Domagoj Margetiç paraqiti padinë e tij kundër Vuçiçit te prokurorët që po hetojnë çështjen.
Gazetari postoi prova në mediat sociale se Vuçiç, atëherë një vullnetar i ri, ishte i pranishëm në një nga postet ushtarake në Sarajevë nga e cila, sipas dëshmitarëve, shtetas të huaj dhe njësi ultranacionaliste serbe qëllonin dhe vrisnin civilë në atë që është përshkruar si një “safari turistik” makabër.
Më shumë se 10,000 njerëz u vranë në Sarajevë nga bombardimet dhe të shtënat me snajper midis viteve 1992 dhe 1996 në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia. Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës nën rrethim në Sarajevë, sepse ata qëllonin pa dallim njerëzit në rrugë, përfshirë fëmijët.
Vuçiç ka reaguar ndaj akuzave për një video të vitit 1993, në të cilën ai pretendohet se shfaqet duke mbajtur një pushkë snajperi pranë personave të armatosur në varreza.
“Nuk kam mbajtur kurrë në jetën time një pushkë snajperi. Nuk kam pasur as armën për të cilën flisni, sepse ajo është stativ kamere. Nuk kam vrarë kurrë askënd, nuk kam plagosur askënd dhe nuk kam bërë asgjë të ngjashme”, tha Vuçiç para gazetarëve në një konferencë ekonomike rajonale Britani e Madhe–Ballkani Perëndimor, e mbajtur në Beograd.
