Ura e shembur lë pesë fshatra në Dropull pa rrugë dhe shërbime bazë

Kronikë E Premte, 21 Nëntor 2025 14:18
Pesë fshatra në zonën e Rrëzës, Bashkia Dropull, kanë mbetur të izoluar që nga paradita e sotme, pasi ujërat e lumit Drino kanë nxjerrë jashtë funksionit urën e Glinës, e cila lidh komunitetet me rrugët kryesore të qarkut.
Rreth 200 banorë shprehin shqetësimin e tyre për mungesën e shërbimeve bazë, duke përfshirë furnizimin me ushqime, ilaçe dhe shërbime mjekësore. Problem është regjistruar edhe në aksin Vrisera–Likomil, ku qarkullimi i automjeteve është vështirësuar ndjeshëm, duke penguar lëvizjen e banorëve dhe furnizimin e zonave fqinje.

Situata e rënduar vjen pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit, që kanë sjellë rritje të prurjeve të lumenjve dhe përmbytje në zona të ulëta. Përveç urës së Glinës, disa segmente rrugore kanë pësuar dëmtime, duke krijuar rrezik për banorët dhe automjetet që kalojnë aty.

Ndërkohë, situata në Pogon vazhdon të jetë e vështirë, ku shtatë fshatra janë izoluar për tre ditë radhazi, duke e bërë të pamundur lëvizjen dhe komunikimin e komuniteteve me qendrat administrative.

Ekipet emergjente të bashkisë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile janë në terren, duke punuar për pastrimin e rrugëve, rivendosjen e shërbimeve dhe nisjen e punimeve për riparimin e urës së shembur. Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe shmangien e lëvizjes në zonat e rrezikuara deri në stabilizimin e situatës.
Banorët shprehin shqetësim për qëndrimin pa shërbime bazë, ndërsa institucionet lokale po bashkëpunojnë me autoritetet qendrore për të siguruar furnizime emergjente dhe mbështetje për komunitetet e prekur.