Rreziku i prishjes së provave, arratisjes nga vendi dhe përsëritjes së veprës penale ishin argumentet kryesore që çuan Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) të vendosë pezullimin nga detyra të zv. kryeministres Belinda Balluku. SyriTV ka zbardhur pjesë të vendimit të gjyqtarit Erion Cela, sipas të cilit Balluku nuk mund të ushtrojë më asnjë kompetencë si zv. kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
GJKKO arsyeton se ekziston rreziku që të pandehurit, përfshirë Ballukun, Gentian Gjylin (Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar) dhe Frald Elezin (Administrator i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare SH.A), mund të ndikojnë në prishjen ose asgjësimin e provave për shkak të detyrës së tyre dhe pozicioneve të larta që mbajnë.
Gjykata vlerëson gjithashtu rrezikun e përsëritjes së veprës penale, duke pasur parasysh rrethanat e veprimeve të dyshuara në procedura prokurimi dhe menaxhimin e fondeve publike për investime të tjera nga të pandehurit.
Me vendim të GJKKO, nga 20 nëntori, Balluku është e ndaluar të ushtrojë detyrën e zv. kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ajo është marrë e pandehur për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, me vlerë 190 milionë euro, dhe dyshohet gjithashtu për tenderin 21 milionë euro të ndërtimit të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
