Ministria e Arsimit mbyll shkollën private “Rreze Drite”: Prindërve t’iu kthehen pagesat (Mister shkaqet)

shkolla rreze drite

TIRANË- Ministria e Arsimit ka urdhëruar mbylljen e menjëhershme të veprimtarisë së institucionit arsimor jopublik “Rreze Drite”, një shkollë e arsimit bazë e licencuar që prej vitit 1999. Vendimi, i cili mban firmën e zëvendësministres së Arsimit Orjana Osmani është botuar sot në Fletoren Zyrtare, ndërsa shkolla pretendon se bëhet fjalë për një keqiformim të mediave, në një reagim të shkurtër të bërë më rrjetet sociale.
Urdhri përcakton detyrime të qarta për shkollën dhe strukturat arsimore të Tiranës, me qëllim garantimin e të drejtave të nxënësve dhe administrimin korrekt të dokumentacionit shkollor. Institucioni “Rreze Drite” duhet të kthejë pagesat e prindërve për pjesën e papërfunduar të shkollimit, të përmbushë çdo detyrim financiar të mbetur dhe të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e domosdoshëm për transferim në një shkollë tjetër.
Në të njëjtën kohë, shkolla ka detyrimin të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e veprimtarisë mësimore pranë Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar (ZVAP) Tiranë dhe të bashkëpunojë për ofrimin e çdo informacioni të nevojshëm derisa procesi të mbyllet tërësisht.

vendimi ne fletoren zyrtare

Referuar praktikave që ndiqen në raste të tilla, ZVAP Tirana duhet të ngrejë brenda tre ditësh një grup pune që do të menaxhojë mbylljen e institucionit, të sigurojë transferimin e të gjithë nxënësve në institucione të tjera arsimore dhe të administrojë dokumentacionin pedagogjik të dorëzuar nga shkolla. Dokumentacioni më pas do të arkivohet sipas kërkesave të ligjit për arkivat.
Përveç ZVAP Tiranë, edhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Drejtoria Rajonale Arsimore Parauniversitare Tiranë janë ngarkuar të monitorojnë nga afër zbatimin e procedurave dhe funksionimin e grupit të punës. Urdhri parashikon se në rast të moszbatimit nga ana e institucionit, ZVAP ka të drejtë të ndërmarrë të gjitha masat administrative të përcaktuara në legjislacionin arsimor.
Në urdhërin e dhënë nga Ministria e Arsimit nuk bëhen me dije shkaqet e mbylljes së shkollës, ndërkohë që prindërit të shqetësuar ngrejnë pikëpyetje në lidhje me të ardhmen arsimore të fëmijëve të tyre, ndërsa “Rreze Drite” refuzon që të japë një sqarim për mediat. Urdhri pasi është botuar në Fletoren Zyrtare hyn në fuqi menjëherë, ndërsa zbatimi i tij i lihet në ngarkim Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, institucioneve rregullatore të arsimit parauniversitar dhe vetë shkollës “Rreze Drite”.