Bota E Premte, 21 Nëntor 2025 12:28
Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara, Olha Stefanishyna, ka përjashtuar me vendosmëri çdo ndryshim kufitar në vend, si reagim ndaj planit të paqes të prezantuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës së nisur nga Rusia gati katër vjet më parë.
“Integriteti territorial i Ukrainës dhe ndryshimi i kufijve ukrainas nuk janë diçka që duhet të diskutohet në tryezën e bisedimeve,” tha Stefanishyna.
Ukraina dhe partnerët e saj evropianë kanë bërë përpjekje për muaj të tërë për të arritur një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit si hap i parë drejt një marrëveshjeje paqeje, por Moska nuk ka hequr dorë nga objektivat e saj të luftës.
Stefanishyna theksoi se Kievi është i hapur për të diskutuar detajet e vijës së kontaktit mes forcave, çka deri më tani nuk ka qenë pjesë e dialogut.
Plani 28-pikësh i zbuluar këtë javë, i paraqitur zyrtarisht dje Kievit, parashikon lëshime të mëdha territoriale nga Ukraina, përfshirë tërheqjen e trupave nga zonat e rajoneve të kontestuara të Luhanskut dhe Donetskut, të cilat aktualisht kontrollohen nga trupat ruse.
Më tej, propozimi i SHBA-së parashikon njohjen e Gadishullit të Krimesë, të aneksuar në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, si dhe rajonet e Donetskut dhe Luhanskut si territore de facto ruse.
Plani gjithashtu kërkon që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO përmes një dekreti kushtetues dhe të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj në 600,000 trupa. Në këmbim, SHBA-ja do t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie dhe do t’i lejojë bashkimin me Bashkimin Evropian.
Stefanishyna e përshkroi planin 28-pikësh si të përputhshëm me kërkesat e Moskës, ndërsa i njëjti qëndrim u përsërit nga i dërguari i Ukrainës në OKB në Nju Jork, gjatë diskutimeve në Këshillin e Sigurimit mbi luftën ruse.
