Ish-kancelari gjerman, Scholz thirret në Prokurori, dëshmon për hetimin…

Ish-kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të dëshmojë të premten në një hetim mbi ndërtimin e tubacionit të gazit Nord Stream 2 nën Detin Baltik.

Tubacioni kontrovers kishte për qëllim transportimin e gazit rus në Gjermani, por nuk u vu në funksion për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Si kancelar, Scholz mbajti pezull licencën operative për ndërtimin e tubacionit në shkurt 2022, ndërsa Rusia po përgatitej të pushtonte Ukrainën.

Pasi shërbeu si ministër i financave dhe zv/kancelar nën drejtimin e ish-kancelarit Angela Merkel nga viti 2018, Scholz u bë kancelar në dhjetor 2021. Nord Stream 2 u ndërtua gjatë viteve të tij në detyrë përballë kundërshtimit nga Ukraina, Polonia, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerë.

Si Nord Stream 2 ashtu edhe Nord Stream 1, një tjetër tubacion i ndërtuar 10 vjet më parë, janë aktualisht jashtë funksionit, pasi u dëmtuan rëndë nga shpërthimet në shtator 2022.

Gerhard Schröder, paraardhësi i Merkelit si kancelar, i përshkroi tubacionet në dëshminë e tij si thelbësore për t’i siguruar Gjermanisë gaz rus të lirë.

Sigmar Gabriel, i cili shërbeu si ministër i energjisë dhe ekonomisë midis viteve 2013 dhe fillimit të vitit 2017, dhe më pas si ministër i jashtëm deri në vitin 2018, pranoi gabimet në marrëdhëniet me Rusinë.

Gabriel e përshkroi dështimin për të kuptuar qëllimet e Presidentit rus Vladimir Putin, si “një nga gabimet më të mëdha në politikën e jashtme gjermane në të cilën isha i përfshirë”.

Hetimi po kryhet nga shteti verior i Mecklenburg-Vorpommern në kryeqytetin e tij, Schwerin. Ai synon ta përfundojë punën e tij deri në kohën kur mbahen zgjedhjet shtetërore vitin e ardhshëm./ DPA News.