“Bëjeni ju gjyqin, kush ka këllqe të marrë përsipër mbrojtjen time?”, Plarent Dervishaj debat të fortë me togat e zeza, ‘shkarkon’ avokatët

plarent dervishaj

TIRANË- Seanca e sotme në Gjykatën e Posaçme ndaj Plarent Dervishajt, është shoqëruar me debate të forta në sallë, pasi i pandehuri kërkoi që procesi ndaj tij të mbahet me dyer të mbyllura.
Sipas Dervishajt, deklaratat e tij në sallë janë keqpërdorur nga mediat, dhe për këtë shkak ai i kërkoi trupës gjykuese që gazetarët të mos lejoheshin në seancë. Kërkesë e cila iu rrëzua. Pas kësaj Dervishaj u ka hequr avokatëve të tij të drejtën për ta përfaqësuar dhe është larguar nga salla e gjyqit.
“Nuk e kam për të gjithë, por për emra të veçantë. Atëherë çfarë kërkojmë ne këtu? Unë heq dorë nga avokatët Ilia Ilia dhe Gerta Gorjani. Bëni gjyqin vetë, prokurorin ja ku e keni. Nuk paraqitem më në gjyq, kush ka këllqe të vijë dhe të marrë përsipër mbrojtjen time” tha Dervishaj para se të largohej nga salla. Pas tij, avokatët gjithashtu braktisën seancën.
Prokurori i çështjes Adnan Xholi nga ana e tij u shpreh “E drejta e pandehurit të marrë ose jo pjesë në gjykim. Pavarësisht kërkesës së të pandehurit, nuk do duhej që avokatët të largoheshin nga salla, megjithatë do merren masa nga gjykata.
Kërkoj të zëvendëson me avokatë kryesisht, në rast të kundërt të shtyhet seanca duke pezulluar dhe afatet e paraburgimit për të dy dhe të njoftohet Dhoma Kombëtare e Avokatisë për braktisjes e seancës nga avokatët”.
Gjykimi tashmë do të vijohet me praninë e një mbrojtësi të caktuar kryesisht nga gjykata.
Plarent Dervishaj një personazh i njohur në sferën e krimit në Shqipëri, që u ekstradua nga Dubai i Emirateve të Bashkuarta Arabe, si personi kryesor i përfshirë në atentatin ndaj ish- prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji, në nëntorin e vitit 2019, në mbikalimin e Shkozetit.

Arjan Ndoji në vitin 2019 i shpëtoi një atenati me armë zjarri, ku vetë mbeti i plagosur kurse shoferi Andi Maloku u vra ndërkohë që udhëtonte sëbashku me një nga eksponentët e krimit, “Rumin e Shijakut”./ZËRI